Silvana dhe Blerina Gega, nënë e bijë janë arrestuar ditën e sotme pasi akuzohen për mashtrim të turistëve të huaj, të cilët rezervonin hotele për të kaluar pushimet në vendin tonë, ndërkohë në kërkim janë shpallur tre persona nga Italia dhe një Shqiptar.
Nënë e bijë menaxhonin prej majit të 2019 një hotel dhe Bar-Restorant me emrin “Lucas” në Xhafzotaj të Durrësit, që në pjesën më të madhe të kohës qëndronte i mbyllur dhe shërbente për qëllimin e vetëm për të vënë në zbatim një skemë të ndërlikuar të vjedhjes së eurove.
Pavarësisht se nuk kryente aktivitet, në dokumentacionin që Silvana Gega ka paraqitur në bankë dhe Prokurori, tregonte se hotelin e kishin rezervuar persona nga Singapori, Kina, Italia etj.
Mirëpo, sistemi TIMS tregon se asnjë nga klientët dhe kartëmbajtësit e mësipërm nuk kanë hyrë në Shqipërisë dhe nuk kanë qenë me pushime në hotelin “Lucas”, që shpesh herë përdorej për ushtrim prostitucioni.
Nënë e bijë e kishin punësuar edhe një person tjetër për kryerjen e veprimeve kompjuterike, që e paguanin 400 mijë lekë të vjetra si kamerier.
Ai ka kryer regjistrimin e hotelit në faqet e internetit “Booking” dhe “Expedia”, teksa në 13 maj 2019 Silvana Gega është paraqitur në sportelin e një banke të nivelit të dytë, për çeljen e një llogarie biznesi me aktivitet bar, restorant, hotel.
Më pas Silvana ka bërë kërkesë pranë bankës në Durrës, që në ambientet e hotelit, ku do të ushtronte aktivitetin, të pajiset edhe me terminal POS, shërbim që bën të munduar pagesat me karta kredit-debit dhe pagesa online nga interneti.
Në datën 22 maj 2019, është lidhur kontrata për vendosjen e terminalit “POS” dhe shërbimet përkatëse midis Silvana Gega dhe bankës.
Nga shërbimet e bankës është konstatuar se Silvana Gega, nëpërmjet terminalit “POS”, ka përfituar fonde me karta bankare të huaja, të cilat dyshohet se janë të klonuara apo me të dhëna të vjedhura, nëpërmjet rezervimit në platformat e internetit “Booking”, “Expedia”, etj.
Këto shuma financiare janë dhënë, duke mos pasur asnjë dokument justifikues apo dokumente të cilat janë të detyrueshme të mbahen nga tregtari në shërbimin e ofruar.
Ndërkohë nga banka është dërguar lista e veprimeve te raportuara nga procesori i kartave dhe bankat e kartëmbajtëse të cilat janë denoncuar si mashtrime dhe që arrijnë në total në shumën 84 mijë euro, nga ku 59 mijë euro janë tërhequr nga Silvana.
Për justifikimin e transaksioneve Silvana Gega, ka paraqitur disa printime të rezervimeve të bëra në aplikacionin “Booking” dhe “Expedia”, si dhe disa kopje të dokumenteve të identitetit dhe kartave të kreditit që iu përkasin shumë personave nga Singapori, si dhe disa shtetasve italiane, etj.
Këtë aktivitet Blerina Gega, e kishte regjistruar në QKB, në emër të të bijës së saj Silvana Gega.
Pasi ka kaluar një muaj nga aplikimi në këto platforma, ato janë aktivizuar dhe gjatë muajit gusht kanë filluar dhe i kanë ardhur prenotimet dhe pagesat nga shtetas të ndryshëm.