Mariglen Qato, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Tiranë, është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës nga disa familje në zonën e Kombinatit që e akuzojnë se po u merret prona në rrugë antiligjore në emër të një investimi publik që Bashkia e Tiramës ka nisur të kryejë në këtë zonë.
Ergys Cullhaj përfaqësues i një prej familjeve të prekura thotë se ka 5 muaj që Inspektoriati Ndërtimor vendor më në krye Mariglen Qaton po u bën presion të hapur familjeve për të liruar hapësirën private të ligjëruar me certifikatë pronësie duke i ndëshkuar me gjobë në vlerën 5 milion lekë.
“Këta nuk kanë sjellë as vendim shpronësimi. Na kanë ardhur 3 inspektorë. Na kanë vënë 5 milionë gjobë për kundërshtim. Se di pse e kanë vënë ‘ndërtim pa leje’. Jemi pronarë të ligjshëm me dokumentacione dhe certifikatë pronësie.”, -theksoi Cullhaj.
Sipas banorëve IMT e Bashkisë Tiranë po vepron në shkelje flagrante të ligjit për shpronësimet në funksion të investimeve publike duke mbajtur të fshehtë projektin e detajuar të rrugës së re, piketat se deri ku do të shtrihet gjurma e rrugës, dhe më kryesorja mungesën e vendimit të shpronësimit për ta ankimuar ose jo në gjykatë.
“Nuk bllokojmë ne projektet e Bashkisë së Tiranës, por duam një vendim shpronësimi. Nuk kanë vendosur as piketa. Asgjë. Këtu nuk ka ardhur asnjë inxhinier. Nuk kanë ardhur asnjë, dhe nuk kemi parë asnjë projekt”, -tha ai.
Cullhaj tha në një intervistë për News24 se gjoba i ka frikësuar banorët e tjerë që nga frika kanë lejuar fadromat të hyjnë në pronën e tyre pavarësisht se nuk ka një vendim shpronësimi, teksa shtoi se do bëjnë padi në Gjykatën e Tiranës.
“Këtu ka shumë veta, por nuk dalin nga frika se kanë hallin e punës. Dhe kanë frikën e gjobës.Ne do bëjmë një padi në Gjykatën e Tiranës, do presim vendimin”, -përfundoi ai.