Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lekbibaj të Tropojës.
Një 29-vjeçar mbeti i plagosur pasi u godit me qytën e pistoletës nga kushëriri i tij.
I plagosuri është Mark Peplekaj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fillimisht u raportua se ai u dërgua drejt Tiranës për shkak të plagëve të rënda që mori në kokë, por policia ka njoftuar se 29-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Tropojës, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve, pa dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Autori i ngjarjes së rëndë mësohet se është kushëriri i tij, 25-vjeçari me inciale V.P., i cili është vënë në pranga.
Ai dyshohet se ka goditur me qytën e pistoletës në kokë kushëririn e tij, por policia nuk e sqaron se me çfarë është goditur 29-vjeçari, pasi në njoftim thuhet se plagosja ka ndodhur me “mjet të fortë”.
Paraprakisht, dyshohet se plagosja ka ndodhur për motive të dobëta.
Njoftim i Policisë së Tropojës:
Plagosi kushëririn me mjet të fortë, kapet në kohë rekord autori i ngjarjes. Më datë 25.05.2020, në fshatin Lekbibaj, rreth orës 20:00, shtetasi V. P., rreth 25 vjeç, banues në Lekbibaj, për motive të dobëta ka plagosur me mjet të fortë shtetasin M. P., rreth 29 vjeç, banues në Lekbibaj.
Falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të shpejta dhe profesionale, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit V. P., i cili po shoqërohet në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme proceduriale. I dëmtuari po merr mjekim në spitalin e Tropojës.