Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, po mbahet në masa të forta sigurie në burgun “302” në Tiranë.
“Ora News” raporton se Çela është vendosur në qeli të veçantë, për të shmangur incidentet, pasi në këtë burg ka shumë persona që janë arrestuar gjatë kohës kur ai ka qenë në detyrë.
Jaeld Çela u dorëzua pak ditë më parë në Policinë e Tiranës dhe është dënuar me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre, teksa kërkohej nga drejtësia shqiptare, si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës.
Aktualisht, gjyqi ndaj tij dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka ngrirë për shkak të pandemisë.
Pas arrestimit, Çela është shprehur se është i pafajshëm dhe ngre akuza ndaj prokurorëve, të cilët sipas tij kanë dashur që ai të bashkëpunonte kundër ish-ministrit Saimir Tahiri.
Çela është shprehur se po akuzohet si bashkëpunëtor të disa individëve që jo vetëm nuk i njeh dhe as nuk i ka parë ndonjëherë por që janë ndjekur penalisht dhe arrestuar kur ai vetë ka qenë nën drejtimin e Policisë së Qarkut Vlorë.
Emri i Çelës, doli pas publikimit të përgjimeve nga anti-mafia italiane dhe hetimeve të prokurorisë shqiptare në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike dhe ai bashkë me ish-drejtorin e postës në Dhërmi, Sokol Bode dhe me Gjergji Kohilën, ish- shefin e Krimeve në policinë e Vlorës akuzohet se me mosveprime ka lejuar trafikun ndërkombëtar të drogës të udhëhequr nga Habilajt në drejtim të Italisë.
Sipas hetimeve, ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, shoferin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.