Regjisori Edmond Budina, në krye të protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është shprehur gjatë një interviste në “Opinion”, se rekuizitat dhe kostumet e vjetra, mbetën të varrosura në rrënojat e godinës.
“Se këtu shiriti vërtitet në një vend dhe gënjeshtrat mbulojnë njëra- tjetrën. Kryetari i Bashkisë, dy ditë përpara se të shembej teatri thoshte: aty ka kostume, ka vlerë, ka rekuizitë, është zëri i këtij, është zëri i atij. Dhe e prishën atë teatër dhe i varrosën, janë atje. Nuk i nxorën se nuk kishin kohë. Dhe janë pamjet e filmuara, ku kostumet janë atje të varura”, u shpreh Budina me indinjatë.
Sakaq, Budina është shprehur se në momentin që fadroma nguli dhëmbët për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, brenda tij kishte ende njerëz.
Sipas tij brenda kanë qenë 4 persona: Neritan Liçaj, Robert Budina, Mirela Karabina dhe Juli Emiri.
Ai shtoi më tej se pavarësisht prezencës së aktorëve brenda godinës, fadroma vijoi të bënte shembjen, duke mos pyetur se atyre po u rrezikohej jeta.
“Është e tmerrshme. Më falni se jam pak kshu sot (i ngjiret zëri), por në momentin që ka nisur shembjen fadroma, brenda ndodheshin ende njerëz. Aty ishte Neritan Liçaj, ai ndodhej aty bashkë me Robert Budinën, Mirela Karabinën dhe Juli Emirin. Por kjo s’i ndaloi. Vijuan shembjen dhe u rrezikuan jetën. Ata kanë varrosur edhe garderobën nën rrënoja, nuk kanë nxjerrë asgjë sepse nuk kishin kohë. Donin të zhduknin çdo gjë sa më shpejt,”– tha Budina ndër të tjera.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm u shemb godina e Teatrit Kombëtar, ku pati përplasje të njëpasnjëshme gjatë ditës mes Policisë dhe protestuesëve. Në Polici janë shoqëruar dhjetëra aktivistë, aktorë e figura të opozitës, teksa kjo e fundit ka paralajmëruar për aksion opozitar.
Në 16:30 nisi protesta mbarëkombëtare e thirrur nga Alenca për Mbrojtjen e Teatrit ndërsa Policia gjatë gjithë ditës së sotme është përgatitur dhe ka blinduar me efektivë të gjithë zonën, ku do zhvillohet protesta. Lleshaj paradite zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë ku ka dhënë urdhër që të jenë mbi 1000 efektivë në protestë.
Protesta nisi në 16:30 dhe zgjati 2 orë e gjysmë, teksa tubimi i radhës është vendosur për t’u mbledhur sërish të mërkurën, në orën 17:30, pasi nesër nuk do të mbahet asnjë protestë sepse besimtarët myslimanë do të festojnë Natën e Kadrit, një natë e shenjtë për ta.