Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, ka deklaruar se Senatoriumi nuk do jetë më spitali COVID-2.
Tashmë për këtë gjë do të mbetet vetëm Infektivi. Spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet normalitetit.
Ndër të tjera Manastrilliu u shpreh se do të rikthehen edhe ndërhyrjet e planifikuara në spitale, duke vendosur në qendër qytetarin dhe shëndetin e tij.
“Nga sot spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit të tij normal, pra duke ju dedikuar pacientëve që kanë patologjitë që trajton ky spital, duke filluar nga ato pulmonare deri tek shërbimi i kirurgjisë, hemodinamikës dhe shërbimet e tjera”, tha Manastirliu.
Ajo u shpreh më tej se spitali “Shefqet Ndroqi” i konsideruar si “Spitali COVID-2”, ka trajtuar mbi 60 pacientë të infektuar.
“Prej datës 28 Mars, spitali u përfshi në skenarin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe deri sot puna nuk ka ndalur në spitalin tuaj për të trajtuar pacientët me COVID19.
Janë rreth 60 pacientë që janë trajtuar në këtë spital dhe unë dua t’iu falenderoj për gjithë angazhimin, punën e mjekëve infermierëve, të gjithë stafeve mjekësore dhe një falenderim të veçantë për shërbimin e reanimacionit, që ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë dhe sigurisht me dedikim edhe sakrificë maksimale, me profesionalizëm ja ka dalë për të përballuar këtë sëmundje, që për të thënë të vërtetën, ishte e vështirë.
Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet.
Nga dita e sotme janë hequr të gjitha kufizimet përsa i përket autorizimeve në lëvizje, qoftë për këmbësorët, qoftë për automjetet.
Gjithashtu është rritur fasha e lëvizjes në zonat e kuqe deri në orën 21:00 të mbrëmjes dhe përsa i përket zonave të gjelbërta është hequr fasha orare që kufizonte lëvizjen.
Sigurisht që kjo bëhet në kuadër të një strategjie rihapjeje dhe praktikisht po ecim sipas këtij plani, duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, duke parë dhe duke vlerësuar rastet që kemi të shtruara në spital dhe gjithashtu edhe rastet e rënda, në terapi intensive.
Deri më tani situata është nën kontroll por do të monitorohet në vijimësi”, tha Manastirliu.