Një rast i rrallë i përpjekjeve për të kultivuar kanabis në Shqipëri është zbuluar pak ditë më parë.
Rasti është zbuluar në Doganën e Tiranës, në datën 14 maj, pasi një pako me plot 11 mijë fara kanabisi ka mbërritur nga Spanja.
Mësohet se pakoja ka ardhur nga Spanja, në adresën e një 30-vjeçari, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
30-vjeçari i ndaluar nga policia është Olsi Çaushaj, banues në Vlorë.
Farat e kanabisit brenda pakos kishin destinacion Shqipërinë, ku dyshohet se do të mbilleshin për sezonin e kultivimit të drogës.
Farat kanë pasur si specifikë mbjelljen në llampa, ndërsa një pjesë e vogël e tyre do të mbilleshin në ambient të hapur.
Pasi u zbulua përmbajtja e pakos dhe u njoftua policia, grupi hetimor vendosi që këtë kuti ta dërgonte tek i zoti.
Në momentin që 30-vjeçari Olsi Çaushaj, banues në Vlorë, ka marrë pakon me 11 mijë fara, menjëherë është bërë ndërhyrja dhe ai është arrestuar.
Hetimet janë duke vijuar për të zbuluar rrjetin e personave të përfshirë në trafikun e drogës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Departamentin Operativo-Hetimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Sekuestrohen 11.000 fara cannabis sativa.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, nga Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin Operativo-Hetimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Kostumi”.
Pas informacioneve të marra më datë 14.05.2020, u bë e mundur që në Degën Doganore Tiranë të konstatohej një pliko postare me përmbajtje të dyshimtë, e ardhur nga Spanja, me destinacion qytetin e Vlorës.
Specialistët e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Hetimore Qendrore e referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për fillimin e ndjekjes penale, për veprën penale “Trafikim ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe nën drejtimin e Prokurorisë prej disa ditësh u ndoq me metoda speciale të hetimit.
Më datë 16.05.2020, nga ana e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore, në kuadër të dorëzimit të kontrolluar, në momentin e tërheqjes së plikos postare në qytetin e Vlorës, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale O. C., vjeç 30, lindur dhe banues në Vlorë.
Në përfundim u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese që përmbanin fara të bimës cannabis sativa, konkretisht 7000 fara të cilësisë së lartë për kultivim me llamba elektrike dhe 4000 fara për mbjellje në natyrë.
Nga ana e Drejtorisë Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna hetimore për zbulimin e autorëve te tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.