Javën që lamë pas Partia Demokratike dhe Ministria e Shëndetësisë janë përfshirë në një një debat publik, pasi selia blu akuzon Ogerta Manastirliun se ka djegur tenderat sekretë.
Pas mohimit të akuzave nga Manastirliu, në një deklaratë për shtyp, Bardh Spahia ka publikuar një e-mail zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, që sipas tij provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve.
Në e-mail thuhet: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.
LEXO: Zjarri në Ministrinë e Shëndetësisë, PD publikon provat: Ky është e-mail që flet për flakët
Pas këtyre akuzave erdhi edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ka deklaruar se email-i i publikuar nga PD, i referohet një incidenti të ndodhur para 26 ditëve, të shkaktuar nga një punonjëse e cila më pas është ndëshkuar.
Ky reagim u pasua nga replika të tjera nga opozita, ku Gazment Bardhi ka deklaruar se po bëhet një koordinim perfekt i një bande hajdutësh në këtë kohë pandemie, ndërsa shton se tashmë ministrja iu ka vënë zjarrin tenderave sekretë.
Po ashtu, u raportua se Marsela Serani, shefja juridike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë dorëheqjen, fill pas rënies së zjarrit në ministri, teksa nuk dihen ende shkaqet e vërteta të këtij largimi, por mësohet se ka pasur përplasje me drejtuesit për firmosjen e disa dokumenteve.
LEXO: Zjarri në MSH: Kush është shefja që ka dhënë dorëheqjen dhe debatet në institucion
Së fundmi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka denoncuar se më datë 15 prill, në Zyrën e Prokurimeve, janë shpërthyer edhe dyert para se të vinin punonjësit në punë.
Me anë të një statusi në Facebook, Spahia shprehet se u është dhënë urdhër punonjësve që të mos u japin asnjë informacion gazetarëve.
Sipas Spahisë një ngjarje e tillë është mbajtur e fshehtë, dhe është kaluar vetëm me ndërrim bravash.
Ai i ka bërë thirrje prokurorëve të SPAK, që po hetojnë çështjen e tenderave sekretë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe hapjen e derës së zyrës së tenderave.
Reagimi i plotë:
Nuk mbarojnë cuditë në Ministrinë e Shëndetësisë në këtë kohë tenderash sekretë. Djegia e dokumenteve, bllokimi i informacionit për mediat nuk janë zhvillimet e vetme. Në institucionin që drejtohet nga Ogerta Manastirliu, ndodh edhe hapja me forcë e zyrave të punonjësve. Ngjarja ka ndodhur sërish në katin e katërt, aty ku ndodhet zyra e tenderave. Mëngjesin e 15 Prillit, punonjësit që janë paraqitur në zyrat e tyre në katin e katërt të Ministrisë së shëndetësisë, kanë konstatuar dyert e dëmtuara, e të hapura me forcë. Ndërrimi i bravave dhe kalimi në heshtje i kësaj ngjarjeje, ngjan me një bashkëpunim në një akt bandidizmi, e padëgjuar për një institucion shtetëror, që si cdo institucion tjetër ka edhe personel sigurie. Koincidencë apo jo, të gjitha cuditë që ndodhin në ministrinë e shëndetësisë lidhen më një datë, 15 Prill 2020. Në këtë datë në mëngjes, punonjësit e katit të katërt përballen me zyrat e shpërthyera. Disa orë më vonë, shpërndahet një urdhër për të mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ndërsa afro pesë orë pas mbarimit të orarit zyrtar, aktivizohet alarmi antizjarr për shkak të djegies së dokumenteve në katin e zyrës së tenderave, të njëjtin kat ku në mëngjes ishin konstatuar zyrat e shpërthyera me forcë. Si mund të ndodhin këto akte banditeske në një institucion shtetëror? Përse ministrja e shëndetësisë përpiqet të mbulojë ngjarje të tilla kaq të rënda? Se mos e mohon edhe këtë, e më pas e quan “incident”? U bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK që po hetojnë cështjen e tenderave sekretë të ministrisë së shëndetësisë, të hetojnë edhe shpërthimin e zyrave në katin e zyrës së prokurimeve, në të njëjtën ditë kur në të njëjtin kat, ndodhi edhe djegia e dokumenteve. A lidhet zvarritja në përcjelljen e dokumenteve në SPAK me këto akte banditeske në ministrinë e shëndetësisë?