Faza e parë e hapjes graduale të Kosovës ka ndeshur në rezultate negative, pasi në ditët e fundit numri i rasteve të reja ka qenë i lartë.
Ditën e sotme kurba ka rënë pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot janë identifikuar 10 raste të reja, nga 18 që u raportuan dje, duke e çuar numrin total të të prekurve në 955.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 4 raste, komuna e Ferizajit 4 raste dhe me nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë dhe Randobravë-Prizren.
Ditën e sotme është shëruar vetëm 1 pacient, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 691 raste.
Ndërkohë, nga data 13 mars e deri tani 29 persona nuk kanë mundur ta mposhtin Covid-19.
Në një konferencë për shtyp kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri me dije se pas datës 18 maj qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin dy herë në ditë nga 2 orë.
Lëvizja e qytetarëve do të bëhet sipas shifrës së parafundit të numrit personal, sikurse ka ndodhur deri më sot, por koha e lejuar e daljes nga shtëpia do të zgjatet në dy herë në ditë nga 2 orë.
Ai ka shtuar se nga data 18 maj faza e dytë do të vazhdojë ashtu siç është planifikuar ku do të hapen disa nga operatorët ekonomikë.
DHJETË RASTE ME COVID-19 DHE NJË I SHËRUAR!
Sot më 15 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 236 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 10 raste.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Vushtrri), komuna e Ferizajit 4 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Ferizaj dhe 1 rast Rahovicë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë dhe Randobravë-Prizren.
Sot më 15 maj 2020, është shëruar edhe 1 pacient derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 691 raste.
Nga data 08 shkurt deri më 15 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 11.178 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 955 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 15 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.588.873 raste të COVID-19 dhe 306.185 raste të vdekjes.