Skip to content
Aktualitet

Hervin Çuli: Godina e ka mbaruar misionin, ulërasin ata që nuk kanë ardhur kurrë në teatër!

· 2 min lexim

Ditën e sotme, aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë paditur për shpërdorim detyre 3 ekspertë të Institutit të Ndërtimit të cilët firmosën akt-ekspertizën inxhinierike për prishjen e teatrit.

Edhe regjisori Budina tha se nuk kanë për ta lejuar kurrë prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa pak minuta më parë, drejtori i teatrit Hervin Çuli , u shpreh për “Euronews” se nuk e kupton zhurmën që shkakton një godinë e vjetër që e ka mbaruar misionin e saj.

Çuli e ka cilësuar teatrin si një godinë të arnuar nga brenda e nga jashtë, ndaj e quan të turpshme atë që turmat po protestojnë kundër prishjes së tij.

“Nuk po arrij ta kuptoj zhurmën që shkakton një godinë e cila e ka mbaruar misionin e saj dhe ndërhyrjet që i janë bërë e kanë shkatërruar më tepër atë duke e kthyer nga brenda totalisht në një godinë të arnuar.

Dhe këtu nuk iu drejtohem turmave patologjike se është e turpshme, ka njerëz që s’kanë  asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar, përveç  Neritan Liçaj që është aktori i teatrit.

Individët e tjerë nuk kanë ardhur ndonjëherë si spektatorë në teatër dhe për axhendat e tyre politike ulërasin për diçka që nuk ia kanë idenë. Kjo është një godinë që ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj”, – u shpreh  Çuli.

Ky i fundit ka përjashtuar edhe mundësinë për restaurimin e godinës së Teatrit Kombëtar, pasi e cilëson si të vetmin teatër në botë që nuk mund t’i qëndrojë dot mizaskenave artistike të kohës.

“Është i vetmi teatër në botë që në parametrat e tij bashkëkohorë, nuk mund t’i qëndrojë dot mizaskenave artistike të kohës.

Është i vetmi Teatër Kombëtar në botë që ka xhepa skenik nga gjysmë metri ku aktorët përplasin kokën me njëri-tjetrin”, shprehet drejtori i teatrit Hervin Çuli.