Mëngjesin e sotëm, aktori Neritan Liçaj është shprehur në emisionin “Ditë e re” se akt ekspertimi për Teatrin Kombëtar është bërë me dokumente të falsifikuara, ndaj dhe për këtë gjë do të dorëzojnë në Prokurori një kallëzim penal.
Të gjithë e njohim aktorin Liçaj për përpjekjet e tij në protestat e organizuara para teatrit kundër shembjes së tij.
Aktori ka shtuar më tej në intervistë se qeveria Rama po pushon nga puna njerëzit që spranojnë të falsifikojnë dokumente.
“Kur kanë bërë akt ekspertimin në 2018 edhe ai ka qenë një falsifikim, sepse ne e kemi zbuluar me fakte që 3 nga ata personat që e kanë firmosur nuk kanë licencë.
Të gjithë të tjerët janë njerëz të qeverisë. Këta nuk ndalen këtu, këta venë e bëjnë akt ekspertimit tani.
Ku kanë ardhur këta të bëjnë akt ekspertimin, këta të gënjejnë ditën për diell dhe sigurisht për këtë do të ketë ndjekje penale sepse kanë falsifikuar dokument.
Do shkojmë në prokurori pas pak për bërë kallëzim penal për falsifikim dokumenti, shfrytëzim posti”, është shprehur Liçaj.
Kujtojmë se ditën e djeshme edhe presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat , ku u shpreh se kishte depozituar një padi të dytë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Sipas tij shteti duhet të ruajë asetet e pasurisë së paluajtshme, asetet e identitetit kulturor.