Skip to content
Të Gjitha

Gjoba kundër Bashës, vjen komenti nga Rama: Shumë mirë ia ka bërë. Ja ç’tha për Teatrin Kombëtar

· 3 min lexim

Më herët mbrëmjen e sotme u raportua se Policia e Durrësit ka nisur një procedim administrativ për kreun e PD-së Lulzim Basha dhe 10 persona të tjerë, mes tyre Ferdinand Xhaferri, kreu i PD dega Durrës.

Në informacionin zyrtar thuhet se “Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbylluar të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ”.

Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” u shpreh se nëse Basha është gjobitur është bërë gjëja e duhur, pasi ka thyer regullat e ka bërë shfaqje të rrezikshme.

“Kryetari i Partisë Demorkatike shkel të gjitha rregullat ,duke bërë takime për punën e tij, siç nuk e bëj dhe unë, ai thyen rregullat e takohet në ambiente të mbyllura, për mua nuk është një shfaqje për qëllime politike, por është një shfaqte e rrezikshme.  Qeveria përcakton në ligje e vendime masat e caktuara, por nuk gjobit askënd, por nëse është gjobitur është bërë veprimi i duhur”, u shpreh Rama.

Lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, ai tha se protesta është legjitime, por nuk mund të vendosin kundër shumicën, por u shpreh se qeveria e Partisë Demokratike e ka hequr nga lista e trashgimisë kulturore godinën e Teatrit Kombëtar, dhe shtoi se kanë bërë gjënë e duhur.

“Janë një pakicë e vogël, në të drejtën e tyre për të protestuar. Por nuk mund të vendosin asgjë për të vendosur kundër shmicës. Është shumica që vendos. Robert Ndrenika ka qenë kundërshtar, e tani kërkon që të bëhet godina e re. Historia e Teatrit Kombëtar nuk janë muret, por janë njerëzit e arkiva që e kanë bërë. Qeveria e Partisë Demokratike e ka hequr nga lista e trashgimisë kulturore teatrin dhe shumë mirë kanë bërë”, u shpreh Rama.

Pas një debati gati 2-vjeçar, më 8 maj qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave ia kaloi Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një teatër të ri.  Pavarësisht se aktorë të shumtë, presidenti Ilir Meta, opozita e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk bën asnjë hap pas.

Ditën e djeshme situata u tensionua pasi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar informoi se Bashkia e Tiranës përmes 5 efektivëve u ka dërguar një letër ku u kërkon që të lirojnë godinën, që tashmë është pronë e saj. Mirëpo, Aleanca është shprehur se nuk do e lejojë këtë gjë, e ka paralajmëruar përplasje e gjakderdhje, duke thënë se artistët do rezistonin dhe nëse do kishte dhunë nga ana e Policisë, ata do i përgjigjeshin me dhunë.

Ditën e sotme u raportua se të hënën do mblidhet edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës, ku pritet votimi për prishjen e Teatrit.