Ditën e djeshme OFL zbarkoi në Shkodër, ku i dorëzoi formularin e deklarimit të pasurisë Ibrahim Licit, i cili aktualisht është shpallur në kërkim pasi akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Bilali.
Një ditë pas këtij aksioni, Ibrahim Lici ka reaguar duke i dërguar OFL një mesazh me anë të të atit.
Mustafa Lici thotë se i biri nuk është subjekt i këtij ligji dhe se ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjykatë vendase apo e huaj për ndonjë vepër penale dhe nuk është person nën hetim nga Prokuroria për asnjë çështje penale.
Në përgjigje të një shkrese të avokatit mbrojtës të tij Saimir Visha, prokuroria e Shkodrës i ka kthyer përgjigje në 20 janar të këtij viti se ndaj shtetasit Ibrahim Lici nuk ka asnjë procedim penal dhe se nuk është person nën hetim por thjesht është në kërkim policor për t’u marrë në pyetje si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen kriminale të vëllezërve Bilali të vrarë në 2019.
“Unë Mustafa Lici, ju kthej përgjigje në emër të djalit tim, Ibrahim lici. Refuzon t’iu përgjigjet pasi Ibrahim Lici nuk është subjekt u këtij ligji. I pa dënuar nga asnjë Gjykatë vendase ose e huaj. Nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjyqtar për ndonjë vepër penale, aktualisht as e huaj as vendase. Nuk është person nën hetim nga Prokuroria për asnjë vepër apo çështje penale,”-shkruhet në përgjigjie.
Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Brahim dhe Astrit Bilali, për të cilën janë arrestuar dy të rinjtë, Myslim Rama dhe Arsen Stojku, ndërkohë që ende në kërkim është i dyshuari i tretë Ibrahim Lici.
Po ashtu, mësohet se formulari i deklarimit i është dërguar edhe Bledar Cafit e Gëzim Cafit, që njihen ndryshe si pjesë e fiseve të të “fortëve” në qytet.
LEXO: OFL ‘zbarkon’ në Shkodër: Vendos në shënjestër 4 të fortët e qytetit