Një nga debatet më të përfolura pas goditjes së vendit tonë nga pandemia ka qenë numri i vdekjeve, ku nuk kanë munguar akuzat për fshehjen e tyre.
Mirëpo sipas mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të luftës diçka e tillë nuk ka ndodhur, teksa mbrëmjen e sotme Pëllumb Pipero u shpreh se pavarësisht qëndrimeve të politikanëve në lidhje me Covid-19, virusi nuk ka asnjë lidhje me politikën në raport me shëndetin.
“Ky është virus respirator dhe ka sezonalitet, përgjithësisht është fund vjeshte dhe fillim vere. Virusi nuk ka asnjë lidhje me politikën në rast me shëndetin. Se çfarë bëjnë politikanë me virusin është tjetër gjë. Me këtë virus është luajtur shumë dhe vazhdon të luhet shumë”, u shpreh ai.
Më tej, Pipero ka ndarë disa histori të dhimbshme që ka hasur nga puna në spitalin Infektiv përgjatë këtyre muajve.
Sipas mjekut, ka pasur pacientë që kanë ndërruar jetë dhe nuk kanë pasur asnjë të afërm, teksa rrëfeu rastin e një pacienti që kishte ndërruar jetë dhe vajza që ndodhej në Itali i kërkonte foto të të atit, apo rastin e një djali të një pacienti tjetër që kërkonte të dinte ku e kishte varrin i ati.
“Kemi pasur qytetarë që kanë humbur jetën dhe nuk kanë pasur asnjë të afërm. I kanë pasur fëmijët jashtë. Njërit i qëlloi edhe gruaja bashkë me fëmijët në Itali dhe vajza që më lutej çoja një foto apo video të babait. Ka pasur dhe nga ata që më kanë pyetur se ku mund ta gjej varrin e babait tim. Pandemitë nuk janë gjëra të zakonshme, janë të jashtëzakonshme. Kam 40-vjet doktor dhe është hera e parë që e përjetoj këtë lloj pandemie. Kjo pandemi nuk i ngjan as gripit spanjoll është shumë herë më e frikshme. Ndoshta për shkak të mungesës së kapaciteteve mjekësore në të gjithë botën”, u shpreh mjeku Pëllumb Pipero.