Faza e parë e hapjes graduale të Kosovës ka ndeshur në rezultate negative, që sipas gjasave mund ta kthejë në izolim.
Kjo javë ka nisur me një numër të lartë infektimesh dhe ndonëse prej ditësh u duk se kurba u sheshua pasi u regjistrua për disa ditë vetëm 1 rast.
Mirëpo, ditën e sotme janë shënuar 24 raste të reja, nga 11 që u shënuan dje dhe tashmë numri i përgjithshëm i të prekurve ka shkuar në 919.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 14 raste, komuna e Prishtinës 4 raste, komuna e Vushtrrisë 3 raste dhe me nga 1 rast vendbanimet: Topanicë-Kamenicë, Mitrovicë dhe Talinoc i Jerlive – Ferizaj.
Gjatë ditës së sotme janë shëruar edhe 14 pacientë dhe tashmë numri i përgjithshëm i të shëruarve është 671, duke vijuar të jetë më i madh se numri i rasteve aktive.
Sakaq, më herët ditën e sotme një 63-vjeçare ndërroi jetë, duke e çuar numrin e viktimave nga koronavirusi në 29.
Prej ditësh në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave që përfshin periudhën nga 4 deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
NJËZET E KATËR RASTE ME COVID-19 DHE KATËRMBËDHJETË TË SHËRUAR!
Sot më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 257 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 24 raste. Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 14 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Përlepnicë, 5 raste Gjilan, 1 rast Velekincë, 1 rast Cërnicë dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prishtinës 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Vushtrri dhe 1 rast Pestovë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Topanicë-Kamenicë, Mitrovicë dhe Talinoc i Jerlive – Ferizaj. Sot më 12 maj 2020, janë shëruar edhe 14 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 671 raste.Më datë 12 maj 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe 1 rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç me vendbanim në Rahovec dhe e konfirmuar me COVID-19 me datë 02.05.2020. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 03.05.2020 në gjendje të rënduar me Infiltrim pulmonar bilateral dhe sëmundje shoqëruese: Insuficiencë renale kronike, Hemodializë të rregullt, Anemi sekondare, Fibrilatio atriorum permanens, Kardiomiopati kronike.Nga data 08 shkurt deri më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.387 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 919 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 12 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.311.913 raste të COVID-19 dhe 290.597 raste të vdekjes.