Skip to content
Të Gjitha

Korrupsioni në burgje/ Gjykata merr vendimin për shoferin e ish-drejtorit të Burgjeve Arben Çuko

· 2 min lexim

Në 2 prill Policia e Tiranës ka arrestuar 52-vjeçarin Qerim Musha, ish-shoferi i ish-kreut të Burgjeve, Arben Çuko, pasi akuzohet se ka marrë një shumë parash, me qëllimin për të liruar nga burgu një të burgosur.

52-vjeçari Musha ishte në kërkim, në kuadër të operacionit policor Vol-Vo 4 dhe gjykata fillimisht ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Mushën dhe mbi të rëndon akuza “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Nga ana tjetër, ish-drejtori Çuko, i arrestuar në 2018, akuzohet se u merrte para të burgosurve dhe emri i tij doli pas përgjimeve që po i bëhej një grupi për trafik droge, teksa Policia bëri me dije asokohe se Çuko u merrte nga 1,500 deri në 3 mijë euro të burgosurve.

Së fundmi, Shqiptarja.com shkruan se Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burgim Qerim Mushon, pasi më 14 prill 2020, gjyqtari i Tiranës Lazer Sallaku vendosi të deklarojë fajtor dhe dënuar me 1 vit burgim për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Mirëpo, ky dënim nuk do kryhet pasi gjyqtari Sollaku ka vendosur ta pezullojë dhe të kalojë Qerim Mushon në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, gjatë të cilës Musho nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.

Sakaq, me dy vite burgim është dënuar, Artur Balla dhe Denis Llatfiu, kurse Olsi Karaxhozi u dënua me 3 vjet heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Karaxhozi është dënuar përfundimisht me 2 vjet burgim.

Sqarojmë se Çuko akuzohet se në kohën kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Burgjeve ka miratuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro.

Kujtojmë se Arben Çuko deri në vitin 2017 ishte deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë, mandat të cilin e braktisi për detyrën e re të si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, propozim i bërë nga vetë kryeministri Edi Rama.

Çuko më pas bëri kërkesë në Kuvend për të lënë mandatin dhe kjo detyroi KQZ-në që t’i rikthehej edhe njëherë listave të PS-së në qarkun e Fierit, teksa ai u shkarkua në shtator vitit 2018 nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Në gusht të 2019 Gjykata e Krimeve të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje, sepse deklaroi se nuk kishte prova për të mbajtur ish-deputetin në “arrest shtëpie”.