Teksa debati mes Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Shëndetësisë rreth tenderave sekretë vijon të jetë i hapur, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi, foli me rezerva në mënyrën se si hetimi po kryhet.
Në një intervistë për “Opinion”, lidhur me mënyrën se si ka reaguar SPAK në çështjen e tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë, Bardhi tha se SPAK i ka lënë 3 javë kohë këtij institucioni, duke krijuar mundësinë për prishje provash.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë ku të ketë një akuzë për korrupsion apo shpërdorim detyre që SPAK- u të ketë njoftuar ministrinë dhe të presi 3 javë që ministria të çojë dokumentat. Sepse nëse ka një hetim, i cili përfshin veprimin e shpejtë ne institucionin e drejtësisë është ai për shpërdorim detyre. Sepse nëse zyrtari që ka abuzuar me detyrën është akoma në zyrën e tij dhe ti i thua më sill dokumentat dhe i lë atij 3 javë kohë, sigurisht që ndodh ajo që ndodhi, i vihet zjarri dokuementave dhe mund të prishet prova. Ne kemi denoncuar në 18 prill, SPAK-u ka njoftuar ministrinë t’i sjellë dokumentacionin në datën 22 prill. Ministria ka dorëzuar dokumentacionin në datën 8 Maj. Tani shikojeni vetë hapësirën që i është lënë Ministrisë së Shëndetësisë për këtë operacion.
Më tej, Bardhi foli edhe për kryeministrin Rama, për të cilin u shpreh se ka thënë ‘po’ për të gjitha propozimet e kreut të opozitës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe se ka mohuar gjatë mbledhjes vetëm çështjen e konçesioneve.
Sipas Bardhit, kryeministri Rama nuk kishte informacione për situatën dhe nënvizoi se zgjerimi i paketës së ndihmës ekonomike me 70 mijë familje ishte propozim i Lulzim Bashës.
“Në atë mbledhje i vetmi me informacione për situatën ishte kryetari i Partisë Demokratike. Kryeministri ishte tërësisht i papërgatitur dhe pa informacion. Për çdo kritike të Lulzim Bashës, Rama është përgjigjur, po opozita ka të drejtë, po duhet bërë. Edhe atë 70 mijëshin që doli këtu edhe tha do duhet të zgjerojmë ndihmën për familjet në nevojë se janë 70 mijë familje të përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, ishte një nga shqetësimet e ngritur nga Lulzim Basha. I vetmi mohim kanë qenë koncesionet ato nuk prek ka thënë. Edhe për testet ka thënë po ka nevojë për vlerësim”. – tha Bardhi.