Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë nën hetim 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses, të cilët u shkarkuan nga Vetting-u.
Kallëzimi u bë nga avokati Fran Dashi, i cili mbrojti Izet Haxhinë, për rihapjen e dosjes “Azem Hajdari” dhe në ballafaqimin me ish-kryeministrin Sali Berisha në gjyq.
Avokati ka kallëzuar 20 ish-gjyqtarë e prokurorë për akuzat e mashtrimit, ,fshehjes së pasurisë, fshehje të ardhurash, mospagim taksash, shpërdori detyre, refuzim për deklarim pasurie.
SPAK bëri me dije se sot ka nisur hetimet për 10 nga 20 emrat e kallëzuar, ndërsa për të tjerët ka shpallur moskompetencë dhe i ka dërguar pranë rretheve Tiranë, Durrës e Elbasan.
“Mbi kallëzimin penal kundër disa subjekteve ish-gjyqtar dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga detyra nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit. Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 28.04.2020, është regjistruar kallëzimi penal Nr. 91, i paraqitur nga shtetasi Fran Dashi, kundër 20 shtetasve me funksion ish – gjyqtarë dhe ish – prokuror pranë gjykatave të shkallës së parë, apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe prokurorive te ndryshme, për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6,180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal. Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këta subjekte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjithë subjektet e kallëzuar janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Nisur nga kjo është ndarë materiali kallëzues në ngarkim 10 të subjekteve, duke ia dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive kompetente në lëndë dhe territor, e pikërisht Prokurorive Durrës,Tiranë dhe Elbasan.
Ndërkohë për 10 subjekte, me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar proçedimi penal Nr.137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklraimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal”, deklaron SPAK.
Të kallëzuarit janë
Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm
Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Fatmir Lushi, sh-prokuror në Prokurorinë e Elbasan
Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër
Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër
Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese-po hetohet nga SPAK
Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë-po hetohet nga SPAK
Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë
Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan
Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
Arjan Balliu, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës
Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Durrës
Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë Apelit Shkodër