Kadastra e Durrësit gjatë muajve të fundit është përfshirë nga valë largimesh dhe emërimesh.
Ditën e sotme është shkarkuar nga detyra nëndrejtori Leonard Kadrimi, së bashku me specialistin, Artur Isaku.
Historia e shkarkimeve në Kadastrën e Durrësit nisi me arrestimin e ish-drejtorit Liridon Pula.
Arrestimi i Pulës shkoi deri në Parlament, ndërsa në seancën gjyqësore ishte i pranishëm edhe zv.kryeministri Erjon Brace.
Vendin e Pulës e zuri Arjan Cengu, i cili pas një muaj u zëvendësua nga Artur Çobani.
Liridon Pula u arrestua për dosjen e tjetërsimit të pronave në Lalëz së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Ata u akuzuan për abuzime me regjistrimet për pronat në bregdetin e Durrësit.
Vetëm pak kohë pas arrestimeve të bujshme, prokurori Arjan Ndoja, së bashku me Landi Muharremin dhe shoferin Andi Maloku, ranë pre e një atentati, i cili po ashtu dyshohet se ka lidhje me tjetërsimin e pronave.