Covid-19, virusi që ka ‘paralizuar’, frikësuar dhe ka ngritur shumë pikëpyetje në mendjet e njerëzve deri tani ka shënuar 270,024 viktima, 3,903,965 të infektuar, teksa 1,334,434 persona janë shëruar.
Nuk dihet ende çka do ndodhë në të ardhmen, tashmë që virusi ka ‘gjunjëzuar’ edhe kombet më të fuqishme në botë, ndërsa mjekët ende nuk kanë një ilaç në duart e tyre, teksa deri tani bluzat e bardha kanë bërë kombinime medikamentesh, ose kanë përdorur antibiotikë, që kanë mundur ‘armikun’ në murtajat e mëparshme.
Duke iu referuar shkencëtarëve, vaksina e parë mund të jetë e disponueshme pas afro një vit, ndonëse shkenca prej muajsh po punon vetëm në këtë drejtim.
Ekspertë të ndryshëm nga e gjithë bota kanë parashikuar rikthimin e virusit në vjeshtë, por gjithsesi mbetet hipotetike.
I pyetur në studion e emisionit “Opinion”, mjeku Pëllumb Pipero tha se nëse virusi rikthehet në vjeshtë dhe do të na duhet të marrim masa, ato nuk do të jenë të këtij niveli që kaluam.
“Nëse do të ketë një valë të dytë natyrisht që do të duhet t’u rikthehemi disa masave, por natyrisht nuk do të jenë të këtij niveli që kaluam. Do të kemi më shumë eksperiencë. Ne avash avash po kuptojmë që është i rëndësishëm distancimi fizik, jo izolimi”, u shpreh mjeku infeksionist.
Më tej, duke iu përgjigjur një tjetër pyetjeje, Pipero tha se në vendin tonë ritmi i transmetimit të sëmundjes ka rënë, dhe se ekspozimi gradual nuk na rrezikon por na ndihmon të fitojmë imunitetin.
Mbrëmjen e djeshme, mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda tregoi tre variantet që diskutohen nga shkencarët lidhur me ecurinë e sëmundjes:
- Në variantin e parë ne kemi pasur një pikë të shpërndarjes të smëundjes.
- Varianti i dytë është që kemi pasur një pik tani në mars dhe mendohet se në nëntor, dhjetor të këtij viti do të kemi një shpërndarje akoma më të madhe të virusit, pra një valë të dytë.
- Varianti i tretë është që e kemi kaluar pandeminë dhe tashmë ajo do dobësohet përherë e më shumë deri sa të krijohet vaksina.