Prej disa javësh studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës janë përfshirë në debate të shumta, pasi mediat zbuluan se në datën 4 prill kanë nisur aplikimet për zgjedhjen e rektorit dhe anëtarëve të senatit, duke përcaktuar qartë se faza e dorëzimit të aplikimeve mbyllet në datën 8 maj, kurse zgjedhjet do mbahen më 12 qershor.
Kjo gjë nuk u ka pëlqyer studentëve, që kanë të drejtë të votojnë, por duke qenë se nuk janë kthyer në auditore, vota e tyre nuk do përfshihet, prandaj disa ditë më parë i kërkuan Ministrisë së Arsimit që të zgjedhjet të shtyhen.
Mirëpo, Shahini iu përgjigj se vendimi i takon Universitetit dhe Ministria zgjedh vetëm datën e zgjedhjeve.
LEXO: Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës: Studentët ‘ultimatum’ ministres Shahini
Pas situatës së krijuar, Mynyr Koni, i ka dërguar një letër të hapur ministres së Arsimit, Besa Shahini, ku i kërkon që zgjedhjet në universitete të shtyhen pas fatkeqësisë së pandemisë.
Në letrën në fjalë, Koni thekson se po përjashtohen mbi 15 mijë studentë të Universitetit nga zgjedhjet për rektor dhe anëtarë Senati, ndërsa shtoi se ky proces duhet të mbahet pasi të kalojë kjo situatë.
LEXO: Pasi shkarkoi 6 pedagogë, Mynyr Koni i shkruan letër Besa Shahinit: Po përjashtoni 15 mijë studentë
Së fundmi, presidentit të Republikës Ilir Meta ka dalë me një deklaratë lidhur me situatën e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, ku shprehet se referuar situatës ku ndodhemi, për shkak të pandemisë, mbajtja e këtyre zgjedhjeve duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.
Kreu i shtetit kërkoi angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces.
DEKLARATA
Lidhur me situatën e zgjedhjeve në universitet publike, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, thekson se ky është një proces tejet i rëndësishëm për të rinovuar autoritetet e reja dhe organet drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Ky proces i ri zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.
Ndaj, në kushtet specifike në të cilat ndodhemi, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces. Është detyrë e tyre të harmonizojnë të gjitha veprimet dhe aktet rregullatorë, në mënyrë që ky proces i ri zgjedhor të garantojë pavarësinë, autonominë, konkurrencën e lirë, transparencën dhe integritetin për të arritur një rezultat të gjithëpranuar dhe për të përmbushur objektivat e Arsimit të Lartë në Shqipëri.