Me mbërritjen e koronavirusit në vendin tonë, ashtu si në vendet e tjera, edhe qeveria vendosi të kufizonte qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve në kuadër të masave për parandalimin e Covid-19.
Kjo jo vetëm që ka bërë të mundur kufizimin e pandemisë, por ka shënuar një rënie të aksidenteve.
Në një raport të publikuar nga INSTAT në 21 prill vihej re në muajin mars numërohen 65 aksidente rrugore nga 127 aksidente të ndodhura në muajin mars të një viti me parë, duke u ulur me 48,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i përket numrit të të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) në mars u regjistruan 94 persona nga 176 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 46,6 %, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2020, është 360 persona nga 483 persona, duke u ulur me 25,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
LEXO: Kufizimi i qarkullimit nga Covid-19 përgjysmoi aksidentet gjatë muajit mars
Mirëpo, është vënë re se me lehtësimin e lëvizjeve, edhe numri i aksidenteve ka ardhur në rritje.
Së fundmi Policia e Tiranës bën me dije se një 53-vjeçare është plagosur në zonën e njohur si “Xhamlliku” në kryeqytet, pasi gjatë përplasjes me makinë ajo po udhëtonte si pasagjere në motorr.
Shtetasja me iniciale P.M., që drejtonte makinën bashkë me personin që drejtonte motorrin pa targë, shqiptarin A.L. nuk kanë pasur lëndime, kurse 53- vjeçarja M.L. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, teksa nuk dihet nëse qytetarët kanë pasur autorizimin e punës për të lëvizur, pasi kanë qenë jashtë orarit të vendosur.
Njoftimi i policisë
“Në vendin e quajtur “Xhamllik”, një mjet me drejtues shtetasin P.M., është përplasur me një mjet motorr pa targë, me drejtues shtetasin A.L, ku për pasojë është lënduar pasagjerja në motorr shtetasja M.L, rreth 53 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë po kryejnë veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, shkruan Policia.