Pandemia dhe kushtet e reja të krijuara prej saj nuk do i ndryshojnë rregullat dhe ndërshkueshmërinë për maturantët që i shkelin ato.
Ndonëse, ministrja Besa Shahini ka bërë me dije se provimet do jenë të një shkallë vështirësie të lehtë, nxënësit nuk do tolerohen në shkeljen e rregullores.
Ditën e sotme, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, ka treguar detaje të tjera në lidhje me provimin e Maturës Shtetërore 2020 dhe në një video-mesazh ka bërë me dije se të gjitha ata nxënës që kapen me kopje apo me celular gjatë provimit do të penalizohen.
Vrapi u shpreh se do të ketë rregulla strikte për të gjithë nxënësit dhe do ketë monitorim të rreptë.
“Rregullat më të forta kanë të bëjnë veçanërisht me besueshmërinë e të gjithë procesit. Pra, mos-marrjen e celularëve dhe mos-komunikimin në procesin e mjedisit. Këto janë të sanksionuara në rregulloren e Maturës Shtetërore. Prandaj bëj me dije: çdo maturant, ditën e provimit të mos ketë celular me vete, të mos komunikojë në mjedis. Në të kundërt, do të penalizohet dhe për 1 vit rresht, ai nuk do të ketë më të drejtë që ta japi këtë provim”, u shpreh drejtoresha QSHA.
https://www.facebook.com/1980444878879282/posts/2567670683490029/
Kujtojmë se më 28 prill, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, teksa njoftoi vijimin e procesit mësimor të ndërprerë më 9 mars për shkak të pandemisë, bëri me dije se të vetmit që do rikthehen në bankat e shkollës më 18 maj deri më 5 qershor janë maturantët.
Maturantët do orientohen mbi provimet e maturës, ku nuk do përfshihen mësimet e zhvilluara nga shtëpia, teksa provimet do realizohen mes datave 8 dhe 18 qershor, nën masat striket dhe rregullave të pandemisë dhe provimet do bazohet tek njohuritë e marra nga klasa e 10 deri në klasën e 12, para pandemisë, si edhe do ketë lehtësime.
Deri tani, Ministria e Arsimit ka njoftuar se testi i maturës do të jetë i gjithi me alternativa dhe do të jenë gjthsej 60 pyetje, dhe si rrjedhojë do zgjasë 60 minuta.
Nxënësit nuk do kenë ese, as në lëndën e gjuhës shqipe, as në gjuhën e huaj, si edhe do u kërkohet të përgjigjen për njohuritë që kanë marrë para së të niste mësimi online.