Kriza e koronavirusit ka anuluar edhe zhvillimin e dasmave në Shqipëri, pasi konsiderohen si aktivitet me rrezikshmëri të lartë sepse personat e kanë të pamundur të ruajnë distancimin social, kështu që qeveria ka vendosur që edhe kompanitë që merren me organizimin e tyre të mos e ushtrojnë këtë aktivitet.
Mbrëmjen e djeshme Armand Peza tha në studion e emisionit “Opinion” se kjo gjë nuk mund të kalohet thjeshtë, pasi vetëm për dasma gjatë një viti në Shqipëri konsumohen 165 milionë euro minimumi.
Peza tha se një nga propozimet që ata kishin bërë për rihapjen e këtyre aktiviteteve konsistonte në vendosjen e dy supervizorëve, një nga Ministria e Shëndetësisë dhe një nga Ministria e Brendshme.
“Unë kam propozuar një gjë që për cdo event të ketë nga 2 supervizorë, njëri nga ministria e shëndetësisë, që mund të jetë infermieri ndihmësmjeku i zonës. Një tjetër të jetë nga ministria e rendit. Kjo gjë bëhet vetëm nëqoftëse cifti organizator të mbyllë një kontratë me të zotët e shtëpisë dhe me ministrinë e rendit që nëqoftëse ka dicka që nuk shkon të pezullohet evneti menjëherë. Ta ketë tagrin ai përfaqësuesi i ministrisë së rendit që nëse ka dicka që nuk shkon ta pezullojë menjëherë eventin. E kemi bërë këtë si propozim por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”.
Mbrëmjen e sotme ka ardhur një lajm i mirë për të gjithë ata që mezi kanë pritur të kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë, pasi tashmë e kanë një dritë jeshile.
Pas datës 23 qershor është i mundur edhe organizimi i ceremonive martesore, sigurisht nën një numër të reduktuar të ftuarish dhe më protokoll sigurie, lajm ky i bërë publik nga Ermal Mamaqi në profilin e tij në rrjetet sociale, teksa shkruan se tashmë do të realizohet kujtimi i bukur për çiftet e reja.
Mamaqi shfaqet në një foto me Armand Pezën dhe ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, teksa ende nuk ka detaje rreth vendimit të marrë.
“Lajm i mire per nuset e Ami Event dhe jo vetëm, për të gjithë Dasmat 2020! Mbas nje takimi sot me Ministrin e Turizmit Blendi Klosi, si përfaqësues të një industrie shumë të fuqishme për ekonominë Shqiptare (rreth 200Mln Euro/Vit) morem nje lajm te mrekullueshem per te gjithe ata qe kane dasmen ne 2020. Ne dt 23 Qershor me lirimin e masave do mundesohet dhe realizimi i ceremonive martesore sipas nje protokolli te aprovuar nga organet perkatese. Me nje nr te reduktuar, duke respektuar distancimin social, do mundemi qe te mbajme premtimin per te realizuar kujtimin tuaj me te bukur.
Ju jemi mirnjohës për mirkuptimin në këto ditë të vështira të planetit,”– shkruan Mamaqi.