Mjekët dhe infermierët e spitalit të Durrësit janë ngritur ditën e sotme në protestë, pasi nuk janë paguar për orët shtesë.
Sipas kreut të Konfederatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Zija Alhysa, vetëm 12 persona janë paguar, ndërsa akuzon drejtoreshën se nuk ka zbatuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Më tej ai shton, se lista e shpërblimit u bë e fshehtë dhe janë përcjellë me fjalët: “S’ke punë të dish ti.
“Kemi punuar 60 orë në javë, jo 40. Kemi shkuar kudo, i kemi bërë SMS Ramës por asgjë. Janë 22 punonjës të prekur. 12 vetë kanë marrë para se janë ca të nënës e ca të njerkës. Pika një e vendimit të Ramës na përfshin dhe neve, por kështu i kanë ndarë. Edhe ato që kanë punuar në vijën e parë të COVID-19 nuk kanë marrë asgjë. Nga nëntori s’kemi marrë asnjë lekë. As për tërmetin. Të tjerët janë ata të koronavirusit dhe nuk kanë marrë asgjë. Mua më keni parë aty sa herë keni ardhur. Drejtoresha nuk zbaton asnjë vendim të ministrisë. Urdhëri i kryeministrit s’njihet. Ata justifikohen me “s’ke punë të dish ti”, lista e shpërblimit u bë e fshehtë. Edhe sot nuk e dimë kush mori para. Në fund të vitit e njëjta gjë. Asnjë punëtor thotë s’dimë gjë. Vetëm ato që do drejtoresha marrin lekë.”-, tha Kryetari i Konfederatës së Sindikatës të Shëndetësisë Durrës, Zija Alhysa.
Një mjek tjetër është shprehur se nuk bëhet fjalë vetëm për shpërblimin, por ka probleme të shumta edhe në organizim, pasi nuk është respektuar etika dhe puna.
“Nuk është vetëm punë shpërblimi, kemi probleme të tjera që nga organizimi, tek vlerësimi i punës sonë. Njësoj siç e tha edhe Ziaji. Jam personi i gabuar. Për mua kush punon duhet të marrë paratë. Unë si mjek vlerësoj punën por s’jap dot më tej. Unë flas për vlerësimin që më është bërë mua sot si mjek. S’është respektuar etika dhe puna. Që nga fillimi, s’na thanë as faleminderit. Është një e tërë.”-tha një tjetër mjek.
Kujtojmë këtu se disa javë më parë ishin mjekët e Lezhës ata që kërkuan shpërblim nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama u përgjigj se vetëm ata që ndodhen në vijën e zjarri në spitalet COVID, do të marrin bonusin prej 1000 eurosh plus pagës.