Orest Sota është dënuar nga gjykata e Elbasanit me 240 orë punë të detyrueshme pranë Bashkisë së Tiranës dhe vendimi është marrë pak muaj më parë nga gjyqtari Taulant Tafa, i cila ka vendosur të deklarojë fajtor dhe dënojë Sotën, fillimisht me 4 muaj burgim për akuzën e “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Por, ky dënim me burg është pezulluar nga gjykata, e cila ka vendosur të detyrojë biznesmenin Orest Sota, të kryejë dënimin duke bërë 240 orë punë të detyruar në Bashkinë e Tiranës, shkruan Shqiptarja.com.
Në vendimin e gjykatës thuhet se:”...puna në interes publik të kryhet brenda një afati 6 mujor, nga momenti që vendimi të marrë formë të prerë. Një kopje e vendimit t’i dërgohet Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Bashkisë Tiranë…”.
Orest Sota është arrestuar nga policia në oborrin e kompanisë Kurum, në Elbasan dhe fillimisht çështja u hetua nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, pasi aso kohe dyshohej se paratë e gjetura në makinën e 28-vjeçarit ishin të ish-ministrit Saimir Tahiri.
Biznesmeni pretendoi se paratë rrjedhin nga burime të ligjshme dhe se ishin tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë 10 ditë përpara se të ndalohej nga policia, duke deklaruar se ato para po i mbante me vete sepse i duheshin për të kuruar nënën e sëmurë.
Orest Sota u hetua fillimisht në një dosje të përbashkët me ish-ministrin Tahiri dhe grupin e Habilajve, por më pas çështja e tij u veçua dhe 28-vjeçari qëndroi në qeli rreth dy muaj, deri sa u lirua nga ish-gjykata e Apelit për Krime të Rënda më 4 janar 2018 me garanci pasurore prej 5 milion lekësh.
Kjo gjykatë rrëzoi masën e sigurisë të dhënë nga shkalla e parë “arrest në burg” dhe më 31. 08. 2019 ish-prokuroria për Krimet e Rënda ka shpallur moskompetencën për hetimin e dosjes së biznesmenit Orest Sota, dhe e trasferoi atë në Elbasan.