3, 690, 613 të infektuar dhe 255, 176 viktima janë regjistruar deri tani nga koronavirusi, teksa herë pas here janë hedhur akuza në vende të ndryshme për fshehje të numrit real të të infektuarve apo viktimave.
Nga ana tjetër, ekspertë dhe studime të ndryshme kanë arritur në përfundimin se numri real i të prekurve është shumë më i madh dhe kjo nuk lidhet me fshehjen e tij, por sepse të prekurit janë asimptomatik.
Disa javë më parë, një studim i bërë së nga shkencëtarët e një universiteti në Gjermani i ka habitur të gjithë sepse ka arritur në përfundimin se deri tani janë zbuluar vetëm 6% e të infektuarve nga koronavirusi.
Sipas tyre, shifra e vërtetë e të prekurve në nivel global mund të ketë arritur në dhjetëra milionë dhe numri total i të infektuarve është shumë herë më i lartë se sa është raportuar nga autoritetet e shëndetësisë në të gjithë botën.
LEXO: Studimi shokues: “Bota ka zbuluar vetëm 6% të të infektuarve me COVID-19”
Së fundmi, një tjetër studim i Universitetit të Bonit ka arritur në përfundimin se numri i të infektuarve me Covid-19 në Gjermani është mbi 10 herë më lartë se sa numri i rasteve të konfirmuara.
Autorët e studimit gjithashtu zbuluan se rreth një në pesë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk shfaqnin simptoma, duke rikujtuar rrezikun e infeksionit nga bartës të paidentifikuar të virusit.
Rezultatet e studimit dalin në një kohë kur Gjermania ndërmori hapa të mëtejshëm për lehtësimin e kufizimeve, duke rihapur me kushte të rrepta muzetë, parukeritë , kishat dhe më shumë fabrika të makinave.
Rreth 1.8 milion njerëz që jetojnë në Gjermani duhet të jenë infektuar, një shifër mbi 10 herë me e lartë se 160,000 rastet e konfirmuara deri më tani, thanë drejtuesit i ekipit të studiuesve, Hendrik Streeck dhe Gunther Hartmann.
“Është e rëndësishme të theksohet se kjo është një përllogaritje. Në qoftë se supozojmë se niveli i vdekshmërisë për Gjermaninë është 0,37 për qind, ne mund të projektojmë se 1, 8 milion njerëz janë të infektuar në të gjithë vendin”, thotë studiuesi Hendrik Streeck.
Ekipi analizoi tamponet e gjakut dhe hundës nga një kampion i 919 personave që jetonin në qytetin e Gangeltit pranë kufirit me Holandën, i cili ka patur nivelin më të lartë të vdekjeve në Gjermani.
“Ne besojmë se niveli 0,37 për qind është më i larti që mund të presim sepse Gangelti ishte një ‘super ngjarje e përhapjes (së koronavirusit)’. Njerëzit morën pjesë në një karnaval dhe virusi u përhap në një zonë të madhe”, tha studiuesi Gunther Hartman. Studimi tregoi shumë aspekte të ndryshme. Sipas studimit, çdo i pesti person i infektuar me koronavirus nuk shfaq simptoma. Të moshuarit mund të infektohen me Covid-19 dhe madje edhe në qoftë se kanë sëmundje të tjera serioze ata nuk do të thotë që (në të gjitha rastet) mund të kenë simptoma të rënda”, tha Hendrik Streeck, bashkëdrejtues i studimit.