Presidenti i vendit Ilir Meta është rrëfyer sot mbi mosmarrëveshjet që ka patur në të kaluarën me kryetarin e opozitës Lulzim Bashën.
I ftuar në “Hard Talk”, Meta u pyet rreth intervistës që ka dhënë në “Opinion”, në vitin 2015, ku ka deklaruar se ‘Luli të gënjen edhe për orën’.
Presidenti iu shmang kësaj pyetjeje, duke u shprehur se më 2 mars ora e tij ishte Kushtetuta.
Sakaq, lidhur me marrëdhënien e tij me opozitën, kreu i vendit u shpreh se ka një shqetësim shumë të madh që lidhet me faktin që opozita u largua nga Parlamenti dhe që nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit përpara se ato të shfuqizoheshin me një platformë gjithëpërfshirëse.
Pjesë nga Intervista
Roland Qafoku: Ju keni shfaqur disa herë edhe mosbesim për kryetarin e Partisë Demokratike, madje jeni shprehur se ai të gënjen dhe për orën. Sa e kishte orën Lulzim Basha më 2 mars?Ilir Meta: Në 2 mars ishte ora e Kushtetutës dhe mendja ime ishte vetëm atje. Përsa i takon raporteve të mia me opozitën dihet që për shumë fenomene që janë problematike dhe kanë shtuar listën e negociatave të Shqipërisë me BE nuk mund të themi që fajin e ka opozita. Ajo që unë e kam bërë të qartë si mosvërejtje apo si mospajtim apo si një shqetësim shumë të madh ka qenë prej kohësh fakti që opozita u largua nga Parlamenti dhe që nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit përpara se ato të shfuqizoheshin me një platformë gjithëpërfshirëse.
Javët e fundit, pas bashkëpunimit me qeverinë për miratimin e ndryshimeve të Kodit Penal, nisur nga situata prej pandemisë është përfolur për një “pranverë” në marrëdhëniet mes presidentit Ilir Meta me kryeministrin Edi Rama.
Megjithatë, Meta ka deklaruar se nuk bëhet fjalë të ketë një marrëveshje me Ramën, teksa thekson se i qëndron kauzës së tij përpara koronavirusit, për mbrojtjen e ligjit themeltar të shtetit.
Sa i përket largimit të Dvoranit ai u shpreh se mandate i tij ka mbaruar prej 7 vitesh dhe se vendimi nuk lidhet me të.
“Se çfarë do të ndodhë, kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë. Së pari duhet të keni parasysh konsideratën në qoftë se e keni lexuar të plotë kërkesën që Institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo vetëm atij, por edhe Gjykatës së Lartë, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese. Është e qartë se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë i asaj kohe i ka dërguar njoftimin zyrtar Presidenti të Republikës së asaj kohe, zotit Nishani për përfundimin e mandatit të tij dhe për zëvendësimin e tij. Dhe për shkak të shumë arsyeve të tjera që janë aty në letër, si dhe për faktin që Gjykata e Lartë u zbraz dhe mbeti vetëm me një anëtar në detyrë, por që i kishte përfunduar mandati, kemi këtë situatë të paprecedentë ndoshta në të gjithë kontinentin tonë, por menjëherë me zgjedhjen e të parit anëtar të Gjykatës së Lartë dhe dekretimin e tij, mandati i tij është në çdo aspekt i shuar apo i përfunduar, nga ana kushtetuese, ligjore, morale, justifikuese, e kështu me radhë.”
https://youtu.be/d_-EOuEmH9I