Më 28 prill, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, teksa njoftoi vijimin e procesit mësimor të ndërprerë më 9 mars për shkak të pandemisë, bëri me dije se të vetmit që do rikthehen në bankat e shkollës më 18 maj deri më 5 qershor janë maturantët.
Nxënësit nga klasa e 1 deri në klasën e 11 nuk do kthehen në shkollë, por do vijojnë mësimin nga shtëpia deri në 29 maj, teksa provimet e klasave të 5-ta dhe të 9-a anulohen.
LEXO: Mbyllja e vitit shkollor: Ja 4 vendimet përfundimtare që komunikoi ministrja Besa Shahini
Së fundmi, Shahini, ka folur për vijimin e procesit mësimor, duke u ndalur edhe tek rikthimi i nxënësve në bankat e shkollës në shtator.
Në një intervistë për “Top Talk”, Shahini tha se ende nuk dihet se çfarë do bëhet me vitin e ri shkollor, sepse ka ende vend për diskutime, kurse vitit akademik mund të vijojë sipas planit e të nis sërish në nëntor.
“Nuk e kemi vendosur ende se kur do të fillojë viti i ri shkollor. Do të shikojmë procesin besoj se nuk do kemi ndryshime. Nëse ka një rritje të të infektuarve marrim vendime anuluese të planeve. Pastaj do të marrim vendim se kur do të fillojmë vitin e ri shkollor. Vitit i ri akademik mund të fillojë me një vonesë dy javore. Të fillohet puna me studentët që diplomohen. Në nëntor mund të filloj viti i ri akademik.” ka thënë ajo .
Shahini ka folur edhe rreth zgjedhjeve në Univeristet, ku ka thënë se Ministria ka në dorë vetëm datën dhe është punë e brendshme në Univeristet për zhvillimin e zgjedhjeve.
“Është një punë e brendshme e universitetit. Ministria ka vetëm datën e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.
Më herët ditën e sotme, studentët me anë të një letre publike i kërkuan Ministrisë së Arsimit që të shtynte zgjedhjet, pasi tani ndodhen të gjithë të izoluar për shkak të Covid-19 dhe procesi nuk do jetë i rregullt.
Në datën 4 prill kanë nisur edhe aplikimet për rektorin dhe anëtarët e senatit, pavarësisht se Universiteti është i mbyllur dhe aktualisht nuk ka asnjë studentë, ndërkohë që në vendimin e firmosur nga 7 anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT, përcaktohet qartë se faza e dorëzimit të aplikimeve mbyllet në datën 8 maj.
LEXO: Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës: Studentët ‘ultimatum’ ministres Shahini