Skip to content
Të Gjitha

Akuzat për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe atentatin në Shkozet, gjykata jep masën e sigurisë për Altin Ndocin dhe bashkëpunëtorin e tij

· 2 min lexim

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin me iniciale K.A., të cilët akuzohen për dy atentatet e ndodhura në këtë qytet.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Altin Ndocit, Saimir Visha, u shpreh se klienti i tij është i shokuar për akuzat, pasi nuk ka prova për vrasjen.

Më tej ai tha se Ndoci kishte lidhje miqësore dhe familjare me vëllezërit Haxhia, madje i ka shkuar edhe në varrim.

Nuk është autori i veprës penale. Gjykata nisur nga vepra e rëndë përcaktoi arrest me burg. Kam kërkuar që të ketë një provë, është e tmerrshme që të caktosh arrest me burg pa asnjë provë. Prova për Altin Ndocin nuk ka” tha Visha ndër të tjera.

Ndërkohë avokati i 22-vjeçarit është Avenir Stërmasi, i zgjedhur nga gjykata.

Për shkak se 22-vjeçari bashkëpunoi me drejtësinë, prokuroria kërkoi që masat të jepen të ndara, por njëri prej avokatëve nuk pranoi.

Altin Ndoci dhe K.A., akuzohen për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Nishtulla të Durrësit, pak ditë më parë.

Gjithashtu këta persona akuzohen edhe për atentatin ndaj Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë më 2 mars të këtij viti.

Sipas policisë, dy atentatet kanë lidhje me prishjen e pazareve të drogës.