Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Në kuadër të operacionit të koduar “Vizitori”, ka rënë në pranga 24-vjeçari me iniciale K.Z. nga Taxhikistani.
Gjykata Federale në Karlsruhe ka lëshuar më 21 prill të këtij viti urdhërin për arrest ndërkombëtar ndaj 24-vjeçarit, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”.
Dyshohet se i riu ishte pjesë e një celule terroriste, për të bërë xhihad në emër të ISIS.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria e Antiterrorit
Finalizohet me sukses operacioni “Vizitori”.
Operacioni, nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas nga Taxhikistani.
24-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.
Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vizitori”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç, nga Taxhikistani.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).
Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj.