Dy ditë më parë, qyteti i Durrësit është tronditur nga një ngjarje tragjike, ku vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia janë ekzektuar me armë zjarri në zonën e Nishtullës.
Dy të rinjtë kanë përshkruar rrugën nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” për në tregun e makinave në qytet, ku edhe janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga ana e atentatorëve.
Deri tani policia ka shoqëruar mbi 40 persona si dëshmitarë të ngjarjes, një pjesë e të cilëve mësohet të jenë banorë të zonës, teksa një nga pistat ku po hetohet për motivin e vrasjes së dy vëllezërve është ajo e dhënies së makinave me qira, biznes nën pronësinë e Besmirit.
LEXO: Ekzekutimi i 2 vëllezërve në Durrës: Policia shoqëron 30 persona, ja pistat ku po hetohet
Mirëpo, ditën e sotme në media u raportua se dyshohet se krimi ka lidhje me një ngarkesë droge të padorëzuar në destincacion dhe se hetimet po drejtohen në Bari, ku disa javë më parë u kapën 20 kg heroinë dhe kokainë, në një kamion të modifikuar.
Mendohet se mjeti është modifikuar në biznesin e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia, teksa kamioni me lëndën narkotike ishte nisur nga Durrësi dhe u kap më 9 prill në Bari.
Së fundmi, Kol Haxhia, babai i dy vëllezërve në një intervistë për Abc News, shprehet se servisin që kishin te tregu i makinave në qytetin bregdetar e kanë ngritur me kredi, rreth 40 mijë euro që kanë marrë.
“Unë punoj mekanik, privat. Besmiri dhe Tori kishin hapur një servis makinash që punon me të, dhe një lavazh. Kanë marrë kredi banke rreth 40 mijë euro, prandaj kërkoj ndihmë nga shteti”.
Po ashtu, për median është prononcuar edhe daja i dy viktimave, i cili deklaroi se ata janë rritur me probleme ekonomike dhe se nuk kanë shkaktuar kurrë probleme, teksa shtoi se nuk janë në dijeni për asnjë shkak apo konflikt të tyre ndërkohë që Viktori ishte në prag fejese.
“Ata janë rritur me halle, kanë ardhur nga Gjegjani i Pukës,kanë jetuar si gjithë shqiptarët me baraka. Me punë krahu, i ati bëri një shtëpi, kur ata u rritën filluan të punonin. Njëri merrej me tregti makinash ndërsa tjetri mbaroi shkollën e lartë dhe pati hapur një biznes exchange, mori dhe dëshminë e avokatit dhe u emërua edhe si pedagog në universitetin e Durrësit. Puna e tyre ishte e pastër, nuk janë marrë me biznese të tjera përveç këtyre. Deri tani nuk dimë dhe nuk kemi asnjë indicie për shkaqet e kësaj ngjarje. Ata kanë qenë shumë të qetë dhe nuk kemi parë ndonjë gjë që të dyshonim se kishin diçka. Viktori ishte në prag fejese, e kishte lënë në qershor për ceremoninë”.