Ndonëse me urdhër të qeverisë që prej 10 marsit bizneset në mbarë vendin kanë mbyllur dyert për të frenuar përhapjen e epidemisë së COVID-19 dhe të parat në listë ishin qendrat tregtare, mesazhi duket se nuk është kuptuar qartë nga pronarët e tyre.
Burime për “gazetarefroma.com” bëjnë me dije se së fundmi, qendrat tregtare u kanë dërguar bizneseve që janë pjesë e tyre faturat e qirave edhe pse prej ditësh qeveria ka bërë të ditur se qendrat tregtare nuk do të hapen për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve.
E njëjta gjë u theksua mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili tha se këto aktvitet nuk do të nisin punën as më 27 prill, kur do të hapen dyqanet e shitjes me pakicë.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk i ka ndaluar pronarët e qendrave tregtare “TEG”, “QTU”, “Toptani Shopping Center”, “Ring Center”, “Kristal Center”, “Flagship” që të faturojnë bizneset për qiratë, sikurse kjo të ishte një periudhë normale pune.
Një gjë e tillë ka sjellë revoltë nga ana e sipërmarrësve, që prej një muaji e gjysmë kanë bllokuar aktivitetet e tyre në kuadër të masave izoluese.
Burime për “gazetareforma.com” bëjnë me dije se ata janë grupuar për të ngritur një padi për këtë çështje, që është e paprecedent në të gjithë rajonin dhe rrezikon në mënyrë të papërgjegjshme të zhysë edhe më thellë në krizë bizneset në qendrat tregtare.
Megjithatë, situata nuk duket më e lehtë edhe për dyqanet e shitjes me pakicë jashtë këtyre qendrave.
Ndonëse gradualisht ato po rinisin aktivitetin, situata paraqitet kritike për shkak të masave shtrënguese mbi qytetarët, të cilët për të dalë nga shtëpitë duhet ende të pajisen me leje.
Pra teksa në teori pretendohet që dyqanet të funksionojnë normalisht, realiteti është krejt i ndryshëm.