Portugalia është ndër shtetet europiane me një bilanc shumë të mirë nga koronavirusi, pasi deri tani numëron 22, 797 të infektuar dhe 854 të vdekur, në një kohë kur shteti fqinj, Spanja, renditet e dyta në rang botëror me 219,764 të infektuar dhe 22, 524 viktima.
Por, çfarë e ka ndihmuar Portugalinë që të mos ketë fatin e Spanjës?
Pulmonologu Dr Filipe Froes, në një media ndërkombëtare ka deklaruar se Portugalia kishte përfituar sepse është infektuar pas Madridit, çka i ka dhënë vendit kohë për të përgatitur spitalet dhe për të rritur kapacitetin e njësive të kujdesit intensiv.
“Dallimi në Portugali ishte se kishim më shumë kohë për t’u përgatitur, Ne mendojmë se jemi tre javë prapa Italisë dhe mbase një javë e gjysmë pas Spanjës, kështu që kjo na dha kohë, ditë të çmuara, për t’u përgatitur. Mendoj se ndryshimi kryesor ishte edhe angazhimi i hershëm i mjekëve.”- tha Dr Froes për emisionin e Euronews ‘Good Morning Europe.
Portugalia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 18 mars, vetëm dy ditë pasi u raportua vdekja e parë nga Covid-19, teksa aktualisht shkalla e infeksionit të Madridit është dyfishi i asaj të Lisbonës.
Freitas, drejtori i përgjithshëm i shëndetësisë së Portugalisë, ka deklaruar se 88 përqind e rasteve të konfirmuara po qëndrojnë në shtëpi dhe nuk kërkojnë trajtim spitalor.
“Spitalet nuk janë mbingarkuar dhe ne kemi më shumë kohë dhe kushte më të mira për pacientët në gjendje kritike kritike. Të dhënat që kemi tregojnë se maksimumi i potencialit tonë nuk është arritur ende, gjë që pasqyron evolucionin e epidemisë”.
Një studim i kryer nga Universiteti Nova i Lisbonësës tregon se shpërndarja e infeksionit në Portugali ishte më i ulti në Europë gjatë 25 ditëve të para të epidemisë.
Dr Froes beson se bindja e qytetarëve ka qenë thelbësore në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.
“Shumica e aktiviteteve janë të mbyllura, siç janë shkollat dhe aktivitetet tregtare, dhe shumica e njerëzve zakonisht ndjekin rregullat dhe ne zbatojmë rekomandimet e qeverisë,” tha ai.
Të premten, Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa propozoi zgjatjen e bllokimit kombëtar deri në 1 maj, teksa, pavarësisht shenjave premtuese, zyrtarët paralajmërojnë se mund të jetë ende herët për të vlerësuar reagimin e Portugalisë ndaj koronavirusit.
Autoritetet kanë frikë se sëmundja mund të përhapet me shpejtësi nëpër shtëpi kujdesi siç ka ndodhur në pjesët e tjera të Europës, ndonëse vendi ka ndërmarrë hapa të mëdha për ta izoluar virusin, duke riatdhesuar rreth 4,000 qytetarë që ndodheshin jashtë.
Qeveria portugeze gjithashtu u ka dhënë të drejta të shtetësisë migrantëve dhe azilkërkuesve që kanë aplikime për qëndrim, me qëllim sigurimi që të gjithë njerëzit në vend të mund të kenë qasje në sigurimet shoqërore dhe kujdesin shëndetësor.