Seanca e sotme parlamentare u shoqërua me debate të forta ndërmjet opozitës dhe mazhorancës.
Një nga çështjet më të debatueshme ishte edhe riatdhesimi i shqiptarëve.
Deputetja Rudina Hajdari i kërkoi shpjegim Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, se cila është arsyeja që emigrantët futen në hotele pa asnjë lloj mase.
“Për riatdhesimin, më falni zonja Balluku dua një shpjegim cila është arsyeja që sot ata që riatdhesohen futen nëpër hotele pa asnjë lloj mase? Ku e dini ju që ata persona nuk mund të krijojnë një vatër tjetër duke qenë pa asnjë lloj mase në ato hotele. Ata janë duke u futur në një dhomë. Pse nuk testohen individ pas individi dhe ata që janë të infektuar të karantinohen dhe të tjerët të shkojnë në shtëpi”, pyet Hajdari.
Balluku u përgjigj nga ana tjetër, se nuk mund të kontrollohen të gjitha shtëpitë dhe në hotel janë më të sigurtë, pasi ruhen nga policia dhe ushtria.
“Askush nuk mund të shkojë në shtëpi zonja Hajdari sepse shtëpitë nuk i kontrollojmë të gjitha. Nëse ne do të shkonim shtëpi më shtëpi dhe të shikonim nëse ata vërtetë jetojnë vetëm apo ata shtëpi janë të pa-frekuentuar nga njerëz të tjerë do të ishte e pamundur. Hotelet nuk janë më hotele, por struktura karantinuese. 132 persona kur zbresin nga autobusi shoqërohen nga policia e Shtetit nga Rinasi deri në derë të hotelit dhe aty është policia që merr përsipër ruajtjen e tyre. Ju sigurojë që të gjitha kamerat kontrollohen nga polica e shtetit dhe ata qëndrojë në dhomë, jashtë çdo dhome lidhet një karrige ku lihet çarçafët e pastër ushqimi, kur kanë kërkese lajmërojnë në recepsion, Kjo është mënyra më e mirë e karantinimi”, tha Balluku.
Qeveria u ka siguruar emigrantëve fjetjen me një tarifë prej 14 eurosh, ndërsa biletën dhe ushqimin për ditët që do të qëndrojnë në hotel, duhet t’i paguajnë vetë.
Kësaj situate qeveria i ka dhënë një zgjidhje të rrezikshme dhe të kushtueshme.
Përtej parave nga buxheti i shtetit që shkojnë për akomodimin e emigrantëve, rrezikshmëria për përhapjen e COVID-19 është e madhe, pasi atyre nuk u janë siguruar masa mbrojtëse.
Fakti që të riatdhesuarit nuk i janë nënshtruar testit për COVID-19, por janë dërguar në hotel, hedh dyshime të forta për mungesë tamponësh.
Në rast se do të ishin kryer testimet, emigrantët që rezultonin negativ mund të ktheheshin në shtëpi, nuk do të ngjesheshin në hotele dhe paratë për akomodimin e tyre, të cilat merren nga taksat e shqiptarëve, fare mirë mund të ishin përdorur për të mbuluar shpenzime mjekësore dhe çdo nevojë tjetër gjatë kësaj periudhe.
Deri më tani janë riatdhesuar 700 persona, ndërsa pritet të kthehen në Shqipëri edhe 1500 të tjerë, duke shkaktuar dyndje të mëdha nëpër hotele.