Me identifikimin e rasteve të para me koronavirus në Shqipëri, qeveria vendosi mbylljen e shkollave për dy javë deri më 23 mars, e me shtimin e rasteve afati u shty deri më 3 prill.
Por, duke marrë shkas nga zhvillimet në vend Ministria e Shëndetësisë ka vendosur më 1 prill mbylljen e të gjithë institucioneve publike dhe private deri në një kohë të pacaktuar.
Në këto kushte, teksa qeveria po ndërmerr lehtësime të shumta, nxënës e studentë të shumtë janë të shqetësuar se çfarë do ndodhë me shkollat, teksa deri tani është përdorur si zgjidhje mësimi online.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë me dije se në fund të prillit do të merret një vendim lidhur me vitin shkollor, teksa u shpreh se qeveria ka gati dy skenarë, por e gjitha varet nga vendimi që do të marrë Task- Forca.
Çfarë do ndodhë me kthimin në shkollë? Ja ç’tha ministrja Shahini
Edhe njëherë ministrja përsëriti se në Maturën Shtetërore nuk do të ketë pyetje nga mësimet e marra gjatë periudhës së koronavirusit, ndërsa lidhur me studentët Shahini tha se gjithçka do të vendosej nga vetë Univeritetet.
Së fundmi, rreth kësaj çështjeje është shprehur edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili në një lidhje me Skype për “Repolitix” është shprehur se nëse merret vendimi për të rihapur shkollat, në Tiranë do të rinisë mësimi me dy turne.
Kjo sipas tij do bëhet për të shmangur mbipopullimin e nxënësve në klasa, megjithatë tha se një vendim konkret do të merrej më 4 maj.
“Më datë 4 maj mund të kemi një vendim. Nëse shkollat do të hapen Tirana ka 300 institucione arsimore, ku do të bëhet dezinfektimi dhe mund të kemi dhe mësim me dy turne për të mos pasur mbipopullim të nxënësve. Nëse vendoset për t’u hapur më 4 maj ne jemi gati”, tha Veliaj.