Ditët e fundit Kruja është goditur frikshëm nga koronavirusi dhe deri tani numëron 58 raste, teksa shkak është bërë një fasoneri, prej nga ku është përhapur infeksioni edhe në Laç e Kurbin.
Fasoneritë kanë punuar në kushte skandaloze pa zbatuar rregullat e duhura, teksa janë mbyllur vetëm së fundmi.
Mbrëmjen e sotme drejtori i fasonerisë “Endi shpk” në Krujë është shprehur se në subjektin e tij vetëm një punonjëse ka rezultuar pozitive me koronavirus, por kjo punonjëse sipas tij nuk është paraqitur fare në punë që prej 16 marsit.
Mirëpo, nuk e dimë se sa duhet t’i besojmë kësaj deklaratë që u pasua më pas nga një gënjeshtër sepse ai u shpreh se e ka bërë testin në një spital privat dhe ka rezultuar pozitiv, mirëpo testimet nuk mund të kryehen në spitale private.
“Më datë 13 mars qeveria dha urdhër për mbylljen e biznesve. Më datë 16 mars ne vijuam punën me kapacitet të reduktuar. Aty punonin gjithsej 200 perona. I pajisëm me maska dhe dezinfektantë. Gjithashtu bëmë një dezinfektim të fabrikës. Ne 15 prill na erdhi ISHP na tha se një punonjëse e juaja është infektuar me covid-19, por ajo punonjëse nuk kishte ardhur në punë që në 16 mars. U kryen disa testime dhe rezultoi se asnjë punonjës nuk ishte pozitiv. Pra ne përveç rastit të parë nuk kemi asnjë person tjetër të konfirmuar me koronavirus. Unë e kam bërë analizën në mënyrë private dhe kam dalë 100% negativ”, u shpreh ai, ndërsa moderatorja e habitur e pyeti se ku bëheshin analizat në mënyrë private, pasi zyrtarisht është komunikuar se analizat për covid-19 bëhen vetëm në shtet.
Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe deklarata e tij se ka vetëm 1 punonjëse të infektuar u përgënjeshtrua nga një sërë mesazhesh nga punonjësit drejtuar Eni Vasilit, që shkruanin se e infektuara ka vijuar të shkojë në punë dhe se në fakt janë rreth 20 persona të prekur në këtë fasoneri.
Deri tani rreth kësaj çështjeje ka shumë hije dyshimi, por deri në zgjidhjen e tyre vatra në Krujë vijon të bëhet e rrezikshme.