Duket se vendi ynë po e përballon mirë situatën me Covid-19, teksa qeveria po përgatit pak nga pak hapjen.
Pasditen e sotme mjeku Pëllumb Pipero në një lidhje me Skype për Syri Tv tha se deri më tani epidemia nuk ishte shuar dhe se tani pacientët e rinj shkojnë në spital në gjendje mesatarisht të rëndë, pasi sipas tij pacientët kanë frikë për të shkuar në spital dhe për të marrë kurimin nga ekipi shëndetësor.
“Nga numri i rasteve të gjurmuara do ketë luhatje, virusi është midis nesh, nuk është shuar, apo eleminuar epidemia. Duhet të themi që eksperienca e rasteve të rënda dhe të intubuara në të gjitha vendet nuk ka qenë e mirë. Ne nuk kemi pasur raste të shumta të intubuara. Pjesa e më madhe ka qenë më maskë oksigjeni, ku sot kemi një rast të intubuar në spitalin Covid 2. Në rast se mushkëritë dëmtohen oksigjeni nuk shkon në gjak, gjendja është e ndërlikuar…. Tani na vijnë në gjendje mesatarisht të rëndë. E kemi diskutuar dhe midis nesh dhe ndoshta besoj se ka një frikë për të ardhur në spital, sepse kanë frikë të veçohen nga famljarët, ose duhet të shikojmë te asistenca mjekësore për ta sjellë në kohën e duhur,”-tha Pipero.
Më pas, Pipero ka folur edhe për vdekjet e larta që ka Shqipëria përsa i përket rasteve të intubuara.
‘Duhet të themi që eksperienca e rasteve të rënda dhe të intubuara në të gjitha vendet nuk ka qenë e mirë. Në Amerikë kemi 2 në 10 që shpëtojnë, edhe në Itali po kështu. Por zërat dhe diskutimi apo debate midis shkencëtareve mbetet gjithmonë se sa i rëndë ka qenë dëmtimi në mushëri. Sa i mundur është rikthimi në jetë, për këtë arsye beteja ka qenë e disfavorshme.Arsyeja e thashë edhe njëherë është dëmtimi masiv i mushkërive.”
Sa i përket debatit për testimet masive, mjeku tha se ishte kundër sepse sipas tij ai i shërben më shumë statistikave, sesa qëllimi madhor që është identifikimi.
‘Natyrisht për të shikuar ecurinë e kurbës shpeshherë matematicienët bëjnë artifica. Deri tani në bazë të përqasjes që kemi bërë me udhëzimet e OBSH, ne kemi gjurmuar rastet që kanë pasur shfaqur klinike, dhe kemi përdorur identifikimin në kohë, për të ndërprerë infektimin e qyterarëve. Jam kundër testimit masiv që i shërben më shumë statistikave, sesa këtij qëllimi madhor që është identifikimi. Po të shikosh,këto rikthime të rasteve kanë pasur të bëjnë me shumë me familje apo me raste në qendra të grumbulluara siç ka qenë këto të fundit në Shkodër apo Krujë’.