Mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit ka mbërritur avioni i ‘Air Albania’ me 131 shqiptarë nga Frankfurti, teksa deri tani janë kryer operacionet e riatdhesimeve me fluturime nga Stambolli dhe nga Italia, Roma, Milano dhe Bari.
Sakaq, për herë të parë një nga personat që është riatdhesuar nuk do të shkojë në karantinë në Durrës, por në shtëpi, pasi është sëmurë, raporton Report TV.
Sipas informacioneve paraprake bëhet fjalë për një zonjë që është e sëmurë, por jo me Covid-19.
Një ditë më parë, u riatdhesuan 232 shqiptarë nga Roma e Bari, ndërsa sipas datave të publikuara nga aviacioni civil, pritet që në datën 22 prill do të vijën të tjerë shqiptarë nga Londra, dhe shumë udhëtarë do të fluturojnë nga Tirana drejt kryeqyteti anglez.
Si bëhet aplikimi:
- Fillimisht çdo emigrant që dëshiron të kthehet në atdhe duhet të rezervojë për 14 ditë hotelin në Shqipëri.
- Pasi është bërë rezervimi i hotelit, qytetari do të marrë një kod personal dhe përmes këtij kodi do të hyjë sërish në faqen e “Air Albania” ku do të bëjë dhe aplikimin dhe për biletën e ardhjes.
- Personat që do të aplikojnë sot, do të vijnë të shtunën në atdhe.
- Në karantinë në Durrës qëndrojnë për 14 ditë, ku 2/3 e shpenzimeve i paguan shteti, ndërsa qytetarët do të paguajnë 100 euro biletën dhe cdo ditë nga 7 euro për qëndrimin në hotel.