Covid-19, virusi që ka ‘paralizuar’, frikësuar dhe ka ngritur shumë pikëpyetje në mendjet e njerëzve deri tani ka shënuar 160, 835 viktima, 2,334,459 të infektuar, teksa 600,000 persona janë shëruar.
Shumë pak dihet për të, që tashmë është përhapur kudo, madje ka ‘gjunjëzuar’ edhe kombet më të fuqishme në botë, ndërsa mjekët ende nuk kanë një ilaç në duart e tyre.
Deri tani bluzat e bardha kanë bërë kombinime medikamentesh, ose kanë përdorur antibiotikë, që kanë mundur ‘armikun’ në murtajat e mëparshme.
Duke iu referuar shkencëtarëve, vaksina e parë mund të jetë e disponueshme, pas afro një vit, teksa edhe Organizata Botërore e Shëndetit është dorëzuar.
Ajo ka dhënë dy deklarata që kanë zbehur shpresat se virusi do largohet shpejt, duke thënë se askush se di sa do zgjasë dhe se ritmi i pandemisë së koronavirusit do të bjerë shumë herë më avash nga sa mund të mendojmë ne.
OBSH: Mbajtja e maskës do kthehet në normë, nuk e dimë kur koronavirusi do të zhduket
OBSH jep një tjetër lajm të keq dhe këshillon shtetet: “Kujdes me lehtësimin e masave”
Mjekë dhe ekspertë të ndryshëm kanë deklaruar se personat e shëruar fitojnë imunitet për një periudhë të caktuar kohe.
Mirëpo, edhe kjo hipotezë është hedhur poshtë.
Organizata Botërore e Shëndetit ka lajmëruar se deri më tani nuk janë gjetur shenja antitrupash në gjak, që të provojnë se të shëruarit nga pandemia kanë fituar imunitet ndaj koronavirusit.
Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i OBSH-së për emergjencat shëndetësore, tha se ndoshta ajo që quhet ‘imuniteti i tufës’ ende nuk është arritur.
“Pritej që imuniteti i tufës të ndodhte dhe shumica e personave të zhvillonin antitrupa. Por deri më tani provat po e kundërshtojnë këtë teori. Nuk po e zgjidhim problemin ashtu siç pritje,”-tha ai.
Numri i pacientëve të shëruar nga koronavirusi, të cilët janë infektuar sërish ka pësuar rritje ditët e fundit, gjë që ka ngritur edhe shqetësimin lidhur me funksionimin e antitrupave në organizëm.
Autoritetet shëndetësore kanë hedhur hipotezën se mund të jenë bërë gabime në testimin e tyre, por ka gjasa që të jenë riinfektuar.
Pak javë më parë, ideja e imunitetit të tufës u hodh nga kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili e përmendi si strategjinë e mundshme që do të ndiqte vendi, teksa këshilltari kryesor shkencor në qeverinë britanike, Patrick Vallance, tha që vendi duhet të “ndërtojë një lloj imuniteti të tufës, kështu që më shumë njerëz do të bëhen imunë ndaj kësaj sëmundje dhe kështu reduktohet transmetimi“.
Çfarë është me saktësi imuniteti i tufës?
Që imuniteti i tufës të mbahet, njerëzit duhet të bëhen rezistentë pasi të infektohen: njerëzit që janë të infektuar dhe shërohen bëhen rezistentë ndaj asaj sëmundjeje, sepse sistemi i tyre imunitar ngarkohet me antitrupa që janë në gjendje ta mposhtin atë.
Kur një pjesë e mjaftueshme e popullsisë është rezistente ndaj një mikrobi, përhapja e sëmundjes ndalet natyrshëm sepse nuk mbeten mjaftueshëm njerëz që mund ta transmetojnë atë.
Kështu që, “tufa” është imune, edhe pse shumë individë brenda saj akoma nuk janë të tillë.
Vaksinat krijojnë imunitet tufe gjithashtu, qoftë kur jepen gjerësisht ose ndonjëherë kur i jepen një grupi që rrethon një rasti të ri të një infeksioni të rrallë.