Më 25 mars ‘qeveria Kurti’, e cila u formua 3 muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ra pas 51 ditësh në pushtet, duke u bërë qeveria më jetëshkurtër.
Qeveria më ‘jetëshkurtër’/ Votohet mocioni i mosbesimit, bie qeveria e Albin Kurtit
Pas një seance maratonë, Kuvendi votoi me 82 vota pro, 32 kundër dhe 2 abstenime për rrëzimin e qeverisë, pasi LDK inicioi ‘mocionin e mosbesimit’ duke u përkrahur nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet, teksa të vetmit që votuan kundër ishte partia Vetëvendosja.
Shkak për “mocionin e mosbesimit” u bë shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu, pasi ai i doli kundër qeverisë dhe kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përhapur panik.
Gjatë seancës maratonë, kreu i VV tha se Veliu kishte kohë që i dilte kundër qeverisë dhe provokonte me qëndrimet e tij, duke hedhur akuzat se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar teksa vijoi me tej duke shtuar se LDK do të bëhet palë me Richard Grenell dhe presidentin Thaçi për të shkëmbyer territoret e Kosovës me Serbinë.
Nga ana tjetër presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të situatës dhe se kryeministri i ri do zgjidhet me shumicë votash nga Parlamenti.
Ai i ka kërkuar disa herë Kurtit dhe VV që t’i dërgojnë emrin e kandidatit për kryeministër, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje kurse Kurti ka deklaruar se në momente të tjera do nxiste protesta kombëtare.
Kreu i shtetit të Kosovës këtë të premte i ka dërguar një letër të katërt kryeministrit në detyrë, duke i kërkuar sërish emrin e mandatarit për të formuar qeverinë, ku edhe njëherë i kërkoi Kurtit në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues, ta dërgojë emrin e kandidatit për kryeministër.
Thaçi në letrën e tij thekson se duke qenë se letrat e mëparshme akoma nuk kanë marrë një përgjigje për emrin e mandatarit të ri dhe mosrefuzimi nga ana e Kurtit nënkupton që duhet të dërgojë një emër.
“Më lejoni t’ua thekson se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, shkruan Thaçi.Prandaj, edhe një herë, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, kërkoj ta dërgoni emrin e kanditatit/es për kryeministër pa humbur kohë”, i shkruan Thaçi-Kurtit.
Kujtojmë se klasa politike në Kosovë është kritikuar shumë për shkak të krizës e cila po thellohet edhe më shumë ndonëse vendi është goditur nga koronavirusi.
Disa ditë më parë OSBH i bëri thirrje Kosovës që ta marrë seriozisht situatën dhe t’i përkushtohet epidemisë sepse gjendja do përkeqësohet.