Mbrëmjen e sotme mjeku Pëllumb Pipero, ka ndarë me të gjithë një lajm që e cilësoi shumë të mirë.
Në një lidhje me Skype për emisionin “Opinion” mjeku tha se sapo kishte marrë lajmin se të hënën do fillojë kryerja e analizës serologjike, e cila tregon nivelin e antitrupave COVID në gjakun e personave.
Sipas Piperos, kjo analizë do të nisë të hënën me stafin e QSUT.
“Sapo më erdhi një njoftim që të hënën fillon analiza serologjike me personelin e QSUT dhe besoj edhe me personelin e COVID 2, për të parë ekspozimin dhe nivelin e mbrojtjes dhe për të ditur më shumë rreth situtës qarkulluese të virusit. Është një lajm shumë i mirë që duhet përshëndetur”, tha Pipero duke deklaruar që ky është një vendim i Ministrisë së Shëndetësisë. “Besoj se në një javë analiza mund të merren të dhëna të rëndësishme për të marr vendime se si do të vazhdojë më pas”, u shpreh ai.
Testi serologjik i imunitetit ose testi gjakut mund të zbulojë praninë e antitrupavë që verifikojnë nëse jemi të infektuar ose jo.
Sipas ekspertëve, kështu mund të identifikojnë se kush është i infektuar dhe të identifikojnë ata që nuk kanë simptoma pa pasur nevojë për provat e një shtupë pozitive, duke bërë që kjo mënyrë të konsiderohet një element themelor në luftën kundër koronavirusit.
Numri i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 518, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 24 raste të reja, teksa disa minuta më parë ndërroi jetë edhe një 64-vjeçare nga Tirana, duke e çuar në 26 numrin e viktimave.