Ditën e sotme, me anë të një video-konference për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale Covid-19.
Në këtë mbledhje që zgjati 4 orë morën pjesë: presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama dhe ministrat përgjegjës, si edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Së fundmi, Presidenca ka zbardhur detajet nga takimi i sotëm, duke bërë me dije se çështjet kryesore që u diskutuan ishin:
1. vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë,
2. masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale,
3. zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020,
4. ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Në njoftimin për mediat, thuhet se Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Ruçi, ka shprehur angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Ndërsa, kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Nga ana tjetër, presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.