Ditën e sotme një 82-vjeçar nga Shkodra , i identifikuar me koronavirus, ndërroi jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
I moshuari ishte transferuar në spital mëngjesin e sotëm pasi kishte shfaqur komplikacione në shëndetin e tij dhe pasi iu nënshtrua testit rezultoi pozitiv me koronavirus.
Megjithatë, edhe pse ishte me koronavirus, 82-vjeçari nuk është futur në listën e personave që kanë vdekur nga koronavirusi, pasi sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai ka vdekur nga tromboembolia-pulmonare, tromboza e venës porta, trombozës së venës renale dhe absesi subdiafragmal.
Kështu, ky është rasti i katërt nga Shkodra, i cili ka ndërruar jetë duke qenë i infektuar me koronavirus dhe shkak për vdekjen e tij nuk konsiderohet koronavirusi, por sëmundje të tjera.
Njoftimi i plotë
Pacienti që ka ndërruar jetë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” 82-vjeç nga Shkodra, ka humbur jetën si pasojë e tromboembolisë pulmonare, trombozë e venës porta, trombozë e venës renale dhe absesi subdiafragmal. I moshuari është sjellë në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës dy ditë më parë dhe ishte pa shenja të COVID19.Referuar spitalit “Shefqet Ndroqi”, pacienti nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatik për këtë sëmundje, por si pasojë tromboembolisë pulmonare. Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare”.
Shqipëria vijon luftën me COVID-19 dhe deri më tani janë infektuar 494 persona, 25 pacientë kanë humbur jetën dhe 251 të tjerë kanë fituar betejën me COVID-19.
Mëngjesin e sotëm ka humbur jetën në spitalin Infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri.