Me mbërritjen e Covid-19 në vendin tonë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është kthyer në një nga figurat më të dashura për shqiptarët, duke u bërë zëri i mjekëve që ndodhen në vijën e parë të luftës.
Mbrëmjen e sotme në një lidhje me Skype për emisionin ‘Repolitix’ ka folur me shumë rreth situatës aktuale në vendin tonë, teksa u shpreh se është e pamundur të bëhen parashikime.
Sipas mjekut, ulja e kurbës do të jetë graduale dhe gjysma e dytë e kësaj epidemie do të jetë më e gjatë në kohë dhe se masat duhet të lehtësohen gradualisht.
“Një javë e re me më pak numra, dëshmon një trend të rënies së epidemisë në vendin tonë, shpresojmë që të vijojë kështu edhe pse është e pamundur për të bërë parashikime. Tani është java e tretë, kemi një rënie të numrave cka besoj fort se shkon në logjikën apo ecurinë e kësaj epidemie edhe në vendet e tjera dhe do të thotë se e kemi kaluar pikun dhe sheshpushimin dhe besoj se kemi. filluar uljen. Ulja do të jetë graduale, gjysma e dytë e kësaj epidemie do të jetë më e gjatë në kohë, duhet të mos ulet vigjilenca. Jam partizan i lehtësimit gradual të masave në vendin tonë në raport me ecurinë e epidemisë sa kohë kufijtë janë të bllokuar dhe gjithcka ndodh brenda nesh.”- tha ai.
Më tej, Pipero shtoi se nuk është ende koha që mosha e tretë të jetë e lirë dhe se ajo kërkon një fashë orari të veçantë për të dalë.
Por kur përfundon kjo situatë e shkaktuar nga koronavirusi dhe si do të evolojë procesi i zbutjes së masave?
“Është e pamundur parashikimi. Ne studiojmë ecurinë e kurbave dhe shikojmë ecurinë vendet e tjera, Kina, Italia, Franca, Amerika, etj. Në opinionin tim, jo parashikim, por opinion, është që ecuria e pandemisë ka qenë e zbutur, numrat janë në rënie, t’ia lëmë kohës ta vërtetojë. E pamundur të parashikojmë kur do të shuhet tërësisht. Epidemia do të quhet e tejkaluar më së paku 4 muaj nga fillimi, por një muaj duhet pa raste të reja.
Nëse do të konsideronim fundin e qershorit, do të thotë nga fundi i majit në fund të qershorit nuk duhet të ketë asnjë rast për ta cilësuar të tejkaluar, po ashtu edhe në vendet e tjera, pasi bota është e hapur. Ne duhet të përgatitemi për një zgjatje, gjysmë të dytë relativisht të gjatë, duke konsideruar se gjysma e parë unë e quaj të kaluar. Në këtë këndvështrim duhet që edhe për disa javë të jemi vigjilentë. Të respektohen vendimet e marra nga qeveria. Këtu do të kalojë me më pak dhimbje se në vendin tonë” tha ai.
Më tej, Pipero shtoi se zonat rurale janë të privilegjuara, por jo të sigurta dhe se edhe atje të zbatohen masat, por kryesisht është sëmundje urbane, atje ku ka më shumë jetë publike dhe aktivitete, teksa komentoi edhe Nife Pecaku, 90-vjeçarja që fitoi betejën me koronavirusin.
“E kam pasur të shtruar në pavion, kam pasur fatin ta njoh personalisht. Si një nga shumë pacientët e tjerë që janë të shëruar, cka do të thotë se ky virus edhe pse dëshmon apo ka treguar se kryesisht kompelikacionet më të mëdha i jep te moshat e vjetra, me pak vullnet dhe shumë përkushtim mund t’ia dalë. Nënë Nifja ia ka dalë, gëzon shëndet, gëzon nipër e mbesa për të vijuar të jetojë si një gjyshe e nderuar dhe e shëruar. Nënë Nifja si cdo i moshuar kishte patologji shoqëruese, që do të thotë se jo të gjitha rastet janë fatalë, por falë vullnetit të saj apo përkushtimit tonë ia hodhi. Ajo pasuri e cila dëshmohet është mes nesh mes moshave të treta duhet respektuar, shërbyer dhe bërë maksimumi për t’i shpëtuar, por mbi të gjitha të respektojë sa më shumë këshillat e qeverisë”.