Britania e Madhe është një ndër vendet europiane më të prekura nga koronavirusi dhe deri tani numëron 93,873 të infektuar dhe 12,107 viktima.
Mes të infektuarve është edhe kryeministri Boris Johnson që la spitalin të dielën, pasi qëndroi 3 ditë në terapi intensive.
Ditën e sotme, The Sun ka shkruar një artikull bazuar mbi sugjerimet e ekspertëve lidhur me çfarë duhet të ndodhë përpara se qeveria të lehtësojë masat.
Testim masiv
Deri tani, testimi masiv është parë si një nga strategjitë më të mira për të mposhtur koronavirusin në disa vende, si Koreja e Jugut, Singapori, Gjermania etj.
Sipas profesorit të Kolegjit Universitar në Londër, Anthony Costello, bllokimi mund të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë nëse qeveria ndjek gjurmët e Koresë së Jugut, të cilët kanë kryer 400,000 teste dhe e kanë vënë Covid-19 nën kontroll.
Ndërkohë, Neil Ferguson, i cili është shumë afër qeverisë, ka deklaruar për presitgjiozen britanike se kufizimet e tanishme do të hiqen pasi të përfundojnë testimet.
Gjurmimi dhe izolimi i rasteve
Teksa Mbretëria e Bashkuar po kalon fazën e testimit të rasteve, gjurmimi i tyre është tejet i rëndësishëm.
Islanda, me një popullësi relativisht të vogël prej rreth 364,000 banorësh, ka përdorur detektivë për të gjetur rastet e kontaktit të mundshëm, dhe duke testuar në mënyrë “agresive” që nga fillimi për të izoluar të gjithë, përfshirë ata që nuk shfaqin simptoma.
Distancimi social
Strategjia e dytë është distancimi social, ndërkohë që urdhrat e qeverisë janë që njerëzit të qendrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm nëse është shumë e nevojshme.
Kjo strategji është këshilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është zbatuar në çdo vend, teksa sipas ekslertëve, nëse së shpejti do i rikthehmi jetës normale, duhet të mësohemi me këtë masë si e vetmja mundësi për të dalë nga shtëpia.
Sakaq, ditën e sotme edhe OBSH publikoi 6 kriteret që duhet të plotësojë çdo vend para lehtësimit të masave:
1.Transmetimi i virusit është i kontrolluar;
2.Kapacitetet e sistemit shëndetësor janë të vendosura për të testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
3.Rreziqet e shpërthimit minimizohen në ambiente të veçanta si institucionet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve;
4.Masat parandaluese janë vendosur në vendet e punës, shkollat dhe vendet e tjera thelbësore;
5.Rreziqet e importimit mund të menaxhohen;
6.Komunitetet janë plotësisht të edukuar, të angazhuar dhe të fuqizuar për t’u përshtatur me normat e reja.