Kryeministri Edi Rama në një komunikim online, iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në lidhje me paketën e dytë ekonomike COVID-19.
Rama bëri me dije se baret dhe restorantet do të jenë të fundit që do të hapen.
“Kështu e ka kjo punë, më vjen shumë keq. Ne po përgatisim programin e hapjes dalë ngadalë. Gjithçka do të bëhet në mënyrë strikte dhe sipas punës. Duke parë edhe vendet e tjera, asnjë vend nuk ka folur për hapjet që fillojnë me baret apo restorantet. Janë të fundit që do hapen. Më vjen keq por është e pamundur”, tha Rama.
Për ata qe jetojnë në fshat dhe e kanë punën në qytet, kryeministri tha se mund të lëvizin me autorizim dhe tashmë do të jetë më e thjeshtë marrja e tij, ku shumë shpejt do të jetë gati një aplikacion i ri.
“Nëse ju keni punë në qytet dhe do shkoni me automjet patjetër, por do merrni në autorizim dhe autorizimet janë shumë më të thejshta tani, që lirojnë pak lëvizjen me automjete”, vijoi Rama.
Ndër të tjera shefi i qeverisë theksoi se detyrimet e sigurimeve shoqërore nuk do të falen.
Përsa i përket atyre që punojnë në të zezë, kryeministri përsëriti edhe njëherë apelin për të denoncuar punëdhënsin.
“Ata që punojnë në të zezë, duhet të kenë kurajon që të denoncojnë. Po bëjmë gati shpërblim financiar për ata që do të thonë kam punuar në të zezë në filan kompani. Kemi arritur të bëjmë spostime nga e zeza në të ligjshme, falë përpjekjeve. Do të kemi një ofertë të re, për të gjithë ata që punojnë në të zezë. Do tju japim shpërblim dhe do t’a ndjekim punën e tyre në mënyrë që pronari të njohë të drejtën e tyre për të qenë të regjistruar”, vijoi Rama.
Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e djeshme paketën ekonomike të dytë COVID-19.
Shefi i qeverisë bëri me dije se 176 mijë qytetarë do të përfitojnë 400 mijë lekë secili.
Gjithashtu ai paralajmëroi se shumë shpejt do të jetë gati edhe paketa e tretë ekonomike.