Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19, abuzimet me tenderat nuk kanë të ndalur.
Dy javë më parë, “Gazetareforma.com”, shkroi për tenderin e maskave të OSHEE me një shumë prej 12.6 milion lekësh të rinj.
Tenderi u hap me 12 mars dhe u mbyll më 17 mars, ndërsa fitues u shpall “Farma Net Albania”, një rrjet i njohur farmacish në vendin tonë.
Tenderi u realizua pa njoftim dhe OSHEE përdori 12.6 milion lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të blerë maska me valvul të llojit FPP1.
Pas një kërkimi në treg nga “Gazetareforma.com”, rezulton se një maskë e tillë në një farmaci në Tiranë, kushton 850 lekë.
Me një llogari të thjeshtë, rezulton se OSHEE ka porositur mbi 14 mijë maska, numër ky shumë i madh në krahasim me numrin e punëtorëve.
Mirëpo “Farma Net Albania” ka vijuar të pasurohet edhe më tej, pasi ka fituar edhe dy tendera të tjerë për shumën e mbi 100 mijë eurove, sërish për pajisjen me maska të punonjësve të Postës Shqiptare dhe OSHEE.
Me këtë shifër Posta Shqiptare dhe OSHEE mund të sigurojnë rreth 15 mijë maska dhe natyrshëm lind pyetja se për çfarë i duhen kaq shumë maska, kur numri i punëtorëve është disa fish më i ulët.
Edhe pse qeveria ka vendosur të pezullojë të gjitha tenderat përveç atyre që lidhen me COVID-19, “Farma Net Albania” e Sokol Topçiut dhe “Euromed”, kanë gjetur sërish shtigje për t’u pasuruar, duke përfituar mbi 3 milion euro tendera nga institucionet shqiptare për pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektantë.
Tenderat janë zhvilluar në periudha shumë të shkurtëra kohore dhe pa garë, duke ngritur dyshime të forta për klientelizëm.
Në një kohë kur shqiptarët janë duke u përballur me kushte të vështira ekonomike për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, disa të tjerë vijojnë të pasurohen nga taksat e tyre.