Që nga 9 marsi e deri tani, ka shkuar në 304 numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë, pasi në 24 orët e fundit janë shënuar 27 raste të reja.
Në total deri më tani janë kryer 2,031 teste, ndërsa një lajm i mirë është shërimi i 13 pacientëve të tjerë, duke e çuar në 89 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë në vendin tonë.
Në spitalin Infektiv ndërkohë ndodhen 73 persona, 7 prej të cilëve në terapi intensive, ku dy janë intubuar dhe në spitalin COVID2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen 4 pacientë, dy prej të cilëve janë intubuar.
Pasditen e sotme ndërroi jetë një 75-vjeçar duke e çuar në 17 numrin e viktimave.
Nga fillimi i kësaj jave e deri tani, mjekët kanë deklaruar se tashmë jemi në pikun e epidemisë dhe kjo rritje e bilancit është e prishme.
Pëllumb Pipero, në një lidhje me Skype për ‘Zonë e Lirë’ deklaroi se nga java e tretë e prillit do kemi një rënie graduale të rasteve dhe situata do përmirësohet, megjithatë sipas mjekut epidemia do vijojë deri në fund të qershorit pasi do vijojë një faze e quajtur ‘bishti i epidemisë’.
“Nuk mund ta themi me siguri, por bazuar në historinë e epidemisë në vendet e tjera, nga java e tretë e prillit mund të kemi një përmirësim të gjendjes. Padyshim rastet do vijojnë, por do ketë një rënie graduale. Megjithatë, largimi total i epidemies mund të vijë nga fundi i qershorit.”
Po ashtu, mjeku renditi edhe 6 kategoritë më të rrezikuara nga COVID-19, që janë personat që:
- vuajnë nga sëmundjet kardio-vaskulare
- vuajnë nga sëmundjet e veshkave
- vuajnë nga hipertensioni
- vuajnë nga diabeti
- kanë probleme me mushkëritë
- dhe duhanpirësit.