Qyteti Guayaquil është më i prekuri nga koronavirusi në Ekuador.
Pamjet dramatike që vijnë nga ky qytet, tregojnë sesi kufomat e viktimave të COVID-19, lihen në rrugë, mbështillen me plastmas dhe hidhen në koshat e mbeturinave.
Imazhet janë bërë virale në rrjetet sociale dhe të shumtë janë ata që denoncojnë këto akte makabre.
Duke qenë se ambulancat mungojnë dhe morgjet janë të mbushura plot, familjet janë të detyruara që të afërmit e tyre, ti lënë nëpër kënde jashtë banesës, ose t’i mbështjellin me qese plastmasi dhe t’i hedhin nëpër kosha mbeturinash.
Disa qytetarë janë shprehur se autoritetet nuk i janë përgjigjur, kur kanë kërkuar ndihmë për transportimin e familjarëve të vdekur, edhe kur kanë ndërruar jetë nga sëmundje të tjera.
Shërbimet funerale në këtë qytet kanë përfunduar në kolaps, ndërsa qytetarët janë detyruar të mbajnë trupat e familjarëve të vdekur në shtëpi për 2 ose 4 ditë.
Njëra nga dëshmitaret shprehet për “BBC Mundo” se xhaxhai i saj ka ndërruar jetë më 28 mars dhe askush nuk i ka ndihmuar.
“Xhaxhai im ndërroi jetë më 28 mars dhe askush nuk ka ardhur për të na ndihmuar. Spitalet na kanë thënë që nuk kanë barrela dhe ai ndërroi jetë në shtëpi. Trupi i tij është akima në krevat, pasi askush nuk mund ta prekë”, tha ajo.
Gjithashtu ka më shumë se 300 raste, kur viktimat janë transportuar me gjithë dyshek.
Autoritetet po punojnë për gjetjen e një zgjidhje, e cila deri tani nuk ka ardhur ende.
Në Guayaquil banojnë 2.8 milion persona dhe për momentin janë shënuar 1615 raste me COVID-19 nga 2302 që ka gjithsej Ekuadori, por ka shumë të dyshuar, të cilëve nuk u bëhen testet.
Pozitive ndërkohë ka rezultuar edhe kryebashkiakja e qytetit Cynthia Viteri.
Përtej emergjencës me viktimat, Ekuadori po përballet edhe me emergjencat mjekësore.
Shtretërit në spitale pothuajse kanë mbaruar, kurse mjekët përdorin shishet plastike të ujit si maska.
Pacienti zero në Ekuador ishte një 70-vjecare e cila erdhi nga Italia më 29 shkurt.
Megjithatë autoritetet ekuadoriane nisën të shtrëngojnë masat vetëm dy javë pasi e moshuara ndërroi jetë.